Lajme

Kurti takon ambasadoren greke në largim, kërkon mbështetjen e Athinës për statusin kandidat të Kosovës në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim lamtumirës me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ambasadoren Heleni Vakali, me të cilën ka diskutuar për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për vazhdimin e angazhimeve për forcimin e marrëdhënieve Kosovë–Greqi, pas konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së Presidentes.

Ai ka vlerësuar mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në zonën Schengen, si dhe avancimin e statusit të Zyrës së Kosovës në Athinë dhe shtimin e komunikimeve e shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve.

Kurti ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Greqisë për marrjen e statusit kandidat të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Mbështetja për Kosovën shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian është e nevojshme, ndërsa rreshtimi me 22 shtetet anëtare njohëse do të ishte i natyrshëm”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka shprehur interesimin e Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me Greqinë, si dhe për forcimin e lidhjeve në fushat e arsimit, kulturës dhe politikës.

Në fund, Kurti e ka falënderuar ambasadoren Vakali për angazhimin dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë.

Të Ngjashme