Lajme

Kurti takon senatorët amerikanë, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në Prishtinë senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet Kosovë-SHBA dhe sigurinë në vend.

Kurti ka bërë të ditur se nga senatorët ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe shndërrimin e kampit Bondsteel në bazë të përhershme ushtarake.

Ai ka shprehur shqetësim për veprimet dhe deklaratat e Serbisë, ndërsa me senatorët ka diskutuar edhe për reformat në arsim e drejtësi, ekonominë dhe projektet infrastrukturore.

Postimi i plotë:

Pas takimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih në fillim të këtij viti, u takuam sërish sot në Prishtinë me senatoren amerikane, Jeanne Shaheen, dhe me senatorin, Dick Durbin, në vizitën e tij të parë në Kosovë.

Të dy senatorët, të cilët më uruan për mandatin e ri dhe zgjedhjen e presidentes, gjë që riktheu stabilitetin e plotë institucional në vend, kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme për Kosovën dhe kanë kontribuuar në forcimin e marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga ta kërkova përkrahje për anëtarësimin në NATO, si dhe për shndërrimin e Bondsteel-it në bazë të përhershme ushtarake.

Paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, por shqetësuese janë veprimet e deklaratat kërcënuese të Serbisë, përfshirë këtu mbrojtja e hapur dhe e ndërsjellë midis ish presidentit autoritar Aleksandar Vuçiq dhe kryekriminelit terrorist Milan Radoiçiq.

Me senatorët Shaheen dhe Durbin, biseduam edhe për reformat në arsim dhe vettingun në drejtësi, për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Përgjatë pesë vjetëve të fundit eksporti i shërbimeve të TIK-ut është pesëfishuar dhe aktualisht ky sektor përbën 6% të Bruto Produktit Vendor. Ekonomia jonë vazhdon të rritet me mbi 4%, ndërsa ky mandat qeverisës do të jetë i hekurudhave, digave, industrisë së mbrojtjes, e stadiumeve sportive drejt Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Të Ngjashme