Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas Kurtit, thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare qëndron te mbijetesë dhe dinjiteti i popullit, ndërsa UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë dhe mbrojtëse, e zhvilluar në rrethanat e okupimit dhe dhunës që po shndërrohej në gjenocid shtetëror.
“Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte”, shkruan Kurti.
Ai theksoi se Prokuroria në Hagë po e trajton këtë çështje në një “vakum juridik”, duke i shkëputur veprimet nga realiteti i luftës çlirimtare. Sipas tij, kërkesa për 45 vjet burg nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtarisht të dënimit dhe injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë.
“Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri, si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre”, shtoi Kurti.
Ky reagim i Kryeministrit në detyrë vjen në një kohë kur procesi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara është në fazën e përfundimit të deklaratave përmbyllëse, dhe kërkesa për dënime ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe komunitetin juridik.
