Lajme

Kurti uron komunitetin boshnjak: Kosova dhe Bosnja ndajnë histori të dhimbshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar komunitetin boshnjak me rastin e Ditës së Boshnjakëve.

Kurti ka kujtuar vendimin e Kuvendit Boshnjak të 28 shtatorit 1993 për rikthimin e emrit kombëtar “Bošnjak” dhe emërtimit “bosanski jezik”, duke theksuar rëndësinë e kësaj date për identitetin, gjuhën dhe kulturën e popullit boshnjak.

Ai ka vlerësuar gjithashtu kontributin e komunitetit boshnjak në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si pjesë të rëndësishme të historisë dhe së ardhmes së vendit.

“Më 28 shtator 1993, në kushte lufte, rrethimi nga forcat serbe dhe bombardimesh të vazhdueshme, në Sarajevë, Kuvendi Boshnjak mori vendimin historik për rikthimin e emrit kombëtar ‘Bošnjak’ dhe të emërtimit ‘bosanski jezik’ për gjuhën e popullit boshnjak. Andaj, kjo datë ka një rëndësi të veçantë për identitetin kombëtar, gjuhën dhe kulturën boshnjake”, ka shkruar Kurti.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, Kurti ka theksuar edhe ngjashmëritë në përvojat e Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës gjatë luftërave të viteve ’90.

“Bosnja e Hercegovina dhe Kosova ndajnë histori të dhimbshme të përballjes me politikat e dhunshme, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, spastrimin etnik dhe gjenocidin e Serbisë dhe regjimit të Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve ’90”, ka deklaruar ai.

Kurti ka përmendur edhe përpjekjet për drejtësi dhe, siç ka shkruar ai, përballjen me mohimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit.

Në urimin e tij, kryeministri ka vlerësuar rolin e përfaqësuesve politikë të komunitetit boshnjak në institucionet e Kosovës.

“Përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak janë pjesë e institucioneve të Republikës sonë dhe kontribuojnë në vendimmarrjen dhe zhvillimin e vendit tonë. Si Qeveri e vlerësojmë lart dhe shprehim mirënjohjen tonë për bashkëpunimin dhe kontributin e komunitetit boshnjak në zhvillimin e Kosovës, vendit tonë të përbashkët”, ka shkruar Kurti.

Të Ngjashme