Lajme

Kurti zbulon qëllimin e ndarjes së 2 milionë eurove

Gjatë ditës së djeshme Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 2 milionë euro për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën.

Sipas njoftimit, kjo shumë është ndarë në kuadër të Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

E në lidhje me këtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se vendimi i djeshëm për të ndarë 2 milionë euro ka për qëllim subvencionimin e linjave ajrore e nuk lidhjet me zgjedhjet e 7 qershorit.

Reagimi i plotë:

Subvencionimin e linjave ajrore për destinacione të caktuara e bëjnë shumica e shteteve ne rajon e më gjerë, me qëllim nxitjen e turizmit.

Me mërgatën tonë të mrekullueshme që nuk humb asnjë vit pa ardhur në vendlindje, ne e kemi edhe një arsye më shumë që ta bëjmë këtë. E përballë rrezikut që një pjesë e fluturimeve të planifikuara gjatë muajve korrik dhe gusht të anulohen për shkak të rritjes së kostos së karburantit, vendimi ynë i djeshëm për të subvencionuar linjat ajrore që lidhin destinacionet e mërgatës sonë u bë i domosdoshëm.

Anulimi i fluturimeve në muajt e verës, do të nënkuptonte që një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve të mos mund te vinin siç vijnë zakonisht në muajt korrik dhe gusht. E kjo do të ishte keq për ta dhe familjet e tyre, por do të ishte fatale edhe për ekonominë e vendit. Prandaj kam angazhuar ministrat Hekuran Murati dhe Dimal Basha për të parë mundësinë e një mase që do ta parandalonte një situatë të tillë.

Vendimi i djeshëm për të ndarë 2 milionë euro ka për qëllim subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Aeroportin “Adem Jashari” me aeorportet prej nga vijnë mërgata jonë, dhe mbulon periudhën e mbetur të sezonit veror të aviacionit, që është deri në fund të muajit tetor.

Pra nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje, siç u pretendua nga disa qarqe të bllokut opozitar. Kjo është një skemë mbështetëse sikurse e bëjnë shumica e shteteve të rajonit, e cila mundëson që mërgata jonë të mund të vijnë e të na vizitojnë edhe këtë verë, sikurse çdo vit.

Mërgatë, mirë se vini!

Të Ngjashme