Ministja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila ka prezantuar projekligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg në komisionin për Ekonomi.
Kusari Lila prezantoi qëllimin e këtij projektligji, duke thënë se gjatë hartimit të tij janë marrë ne konsideratë edhe rekomandimet e dhëna në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në lidhje me ligjin paraprak.
“Siç e dini dhe siç tashmë e kemi prezantuar dhe miratuar edhe në qeveri, ministria që drejtoj, në frymën e detyrave dhe obligimeve të cilat i ka si mandat për propozimin e projektligjeve, politikave të ndryshme, ato të kategorisë biznes, por gjithashtu edhe fokusin e veçantë në mbrojtjen e konsumatorit, ka propozuar projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Lidhur me këtë, po e paraqes para jush që të jepni rëndësinë në miratimin e këtij projektligji.
Ky projektligj ka për qëllim të përcaktojë saktë kornizën ligjore për vendosjen e masave të përkohshme proporcionale për produktet themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, me synimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe interesit publik, si dhe vendosjen e një mekanizmi të ri, të pavarur institucional dhe procedural për menaxhimin e situatave që vijnë si rezultat i luhatjeve të theksuara të çmimeve në treg.
Gjatë hartimit të këtij projektligji, janë marrë në konsideratë rekomandimet e dhëna në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në lidhje me ligjin paraprak, i cili ishte konsideruar në papajtueshmëri me disa nene të Kushtetutës, konkretisht me nenin 7, nenin 10, nenin 119 të Kushtetutës së Republikës. Andaj, ky projektligj merr në konsideratë këto rekomandime dhe përcakton dy lloje të masave të përkohshme Caktimin e marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë dhe Caktimin e çmimit maksimal të lejuar nga operatorët ekonomikë.”, tha Kusari Lila.
Gjithashtu ajo tha se për këto masa do të themelohet një bord i pavarur për masat e përkohshme për kufizim të çmimeve.
“Kjo për faktin se një numër i masave të tjera në ligjin paraprak janë masa që bien drejtpërdrejt në kompetencë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes ligjeve ekzistuese, më konkretisht përmes ligjit për tregtinë e brendshme. Ndërsa sa i përket vendimmarrjes, për këto masa parashihet themelimi i një bordi të pavarur për masat e përkohshme për kufizimin e çmimeve, i cili do të emërohet nga Kuvendi i Republikës dhe do t’i raportojë atij, më konkretisht këtij komisioni. Në projektligj janë përcaktuar edhe kushtet për emërimin e anëtarëve të bordit, kompetencat si dhe procesi i vendimmarrjes. Projektligji lidhet ngushtë me prioritetet e qeverisë së Republikës duke kontribuar në mbrojtjen e konsumatorit. Gjithashtu, hartimi i projektligjit është i paraparë edhe me agjendën legjislative të qeverisë së Republikës vitin 2026-2028, i cili është miratuar edhe në mbledhjen e dytë të qeverisë së Republikës. Projektligji është udhëhequr nga departamenti i tregtisë, është hartuar në bashkëpunim me grupin punues i cili në përbërje ka pasur përfaqësues të institucioneve publike që kanë lidhje me zbatimin e ligjit. Po ashtu, gjatë procesit të hartimit, kemi mbajtur edhe tryeza konsultative me përfaqësues nga odat ekonomike, shoqatat përkatëse që përfaqësojnë operatorët ekonomikë të lidhur me produktet themelore dhe të cilat janë subjekt i këtij projektligji”, tha Kusari Lila.
