Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se heqja e akcizës apo lirimin mbi 50% nga TVSH për çmimet e naftës është i pamundur. Ajo iu përgjigj kërkesës së AAK-së në një konferencë për media.
“Kërkesat që kanë të bëjnë me tërheqjen e akcizës apo TVSH-në jemi duke i shqyrtuar me kujdes, por jo që mund themi sot se mund të ndryshohet akciza. Si e parë e punës akciza është e përcaktuar me ligj dhe rrjedhimisht çfarëdo ndryshimi duhet bërë nga Kuvendi dhe e dyta, TVSH-ja dhe akciza janë të hyra të buxhetit që në situatën aktuale mbesin ashtu siç janë, por jemi duke shikuar se cilat janë mundësitë për të ndikuar nëse ka rritje të mëtutjeshme natyrisht në zinxhirin e furnizimit, pra që të mos ketë multiplifikim apo zinxhir të rritjes edhe te produktet tjera”, tha ministrja.
Ajo më tej shtoi se janë duke përcjellë situatën në mënyrë që të mos ketë abuzim me çmimet në treg si dhe tha se po përgatisin planifikim strategjik për rritje të rezistencës ndaj rrethanave në tregun global.
“TVSH-ja nuk ka qenë asnjëherë opsion, pasi është vështirë të monitorohet, pasi TVSH është ajo që paguhet nga qytetarët, prandaj lehtësisht thuhet, por është vështirë të bëhet, pasi mund të përfundojmë në situata kur hiqet TVSH, por çmimi mbetet i njëjtë, pasi operatorët ekonomikë nuk e heqin dhe ne nuk kemi mekanizëm për ta mbajtur çmimin tavan edhe për produkte të tjera. Sa i përket akcizës, mbetet të përcjellët, nuk e konsiderojmë si opsion, por e përcjellim situatën që çmimi nuk kalon çmimin e marzhës së caktuar”, ka thënë Kusari-Lila.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dorëzoi sot kërkesë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për marrjen e masave urgjente për përballimin e situatës ekonomike në vend, pas ngritjes së vazhdueshme të çmimit të naftës.
Në kërkesën të cilën shefi i grupit parlamentar Besnik Tahiri dhe deputetja Albana Bytyçi ia ka dorëzuar ministres Mimoza Kusari – Lila, thuhet se rritja e çmimit të naftës po ndikon në rritjen e kostos së transportit, prodhimit dhe furnizimit, si dhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Ata kërkuan lirimin nga TVSH dhe heqjen e akcizës pas ngritjes së çmimit të naftës
