Dy raste të publikuara nga kryeministri Edi Rama gjatë një deklarate për protestat studentore kanë ngritur pikëpyetje mbi saktësinë e informacioneve që i janë vënë në dispozicion nga institucionet shtetërore.
Sot, Rama doli përpara publikut me një listë personash të shoqëruar gjatë protestave, duke paraqitur fotografi, iniciale, mosha dhe të dhëna mbi precedentët e tyre të pretenduar penalë. Sipas kryeministrit, materialet synonin të tregonin se mes protestuesve të përfshirë në përplasje me policinë kishte persona me të kaluar kriminale dhe jo vetëm studentë.
Megjithatë, pak orë pas publikimit të listës, dy prej personave të përmendur kundërshtuan informacionet e paraqitura për ta.
Rasti i parë është ai i Jon Sinoymerit, 20-vjeçarit me inicialet J.S., i cili në materialin e kryeministrit u paraqit si person që nuk ishte student dhe me precedent për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
I riu doli publikisht nga protesta dhe deklaroi se është student i Universitetit të Mjekësisë, me mesatare 10.0, duke treguar përpara kamerave edhe rezultatet e tij universitare.
Sinoymeri mohoi gjithashtu të kishte precedentë penalë, duke pretenduar se i vetmi rast kur ishte shoqëruar në polici kishte ndodhur pas pjesëmarrjes në protestë. Sipas tij, ai ishte mbajtur për rreth shtatë orë e gjysmë dhe më pas ishte liruar.
Një tjetër rast që ka shkaktuar reagime është ai i Ergys Llanajt, i përfshirë gjithashtu në listën e paraqitur nga Rama.
Politikani Adriatik Lapaj kundërshtoi përshkrimin e tij si person me precedentë penalë, duke deklaruar se Llanaj ishte arrestuar më parë, por gjykata e kishte vlerësuar arrestimin të paligjshëm dhe më pas kishte pushuar procedimin, pasi sipas tij ishte konstatuar se fakti penal nuk ekzistonte.
Lapaj e përshkroi Llanajn si ish-ushtarak me 18 vite përvojë, doktor shkencash dhe person që kishte disponuar certifikata sigurie të NATO-s.
Pas këtyre kundërshtimeve, vëmendja është zhvendosur te personat që kanë përgatitur dosjen e përdorur nga kryeministri.
Sipas një raportimi të Vox News, materiali është hartuar nga zyrtarë të kabinetit të Ramës, në bashkëpunim me strukturat ligjzbatuese. Media pretendon, duke iu referuar burimeve të saj, se kryeministri ka kërkuar shpjegime nga bashkëpunëtorët për informacionet e kontestuara.
Mbetet për t’u sqaruar nëse informacionet e kontestuara kanë ardhur nga dokumente zyrtare, nga interpretime të pasakta të të dhënave apo nga gabime gjatë përgatitjes së materialit.
