Me 29 janar të vitit 1926, dhjetëra shkencëtarë u mblodhën në një laborator të vogël në Londër për të parë diçka krejtësisht të re. Në njërën anë të dhomës ishte një pajisje e ndritshme me drita neoni, tela dhe ingranazhe; në anën tjetër, një ekran i trashë qelqi. Papritur, në ekran u shfaq një figurë e paqartë dhe lëvizëse: një kukull ventrilokuisti e quajtur “Stooky Bill”.
Shpikësi skocez John Logie Baird po demonstronte “Televisor”-in e tij. Edhe pse figura ishte e turbullt dhe cilësia e dobët sipas standardeve të sotme, prova ishte e qartë: imazhet e gjalla mund të transmetoheshin në distancë pa tela. Ishte një hap i madh drejt lindjes së televizionit.
Megjithatë, historia e televizorit nuk lidhet me një shpikës të vetëm. Në të njëjtën kohë, në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, shpikës dhe kompani të tjera po punonin për teknologji të ngjashme. Televizioni ishte rezultat i një procesi me shumë kontribute paralele.
Hapat e parë drejt televizionit

Ideja e televizionit dhe vetë fjala “televizion” u krijuan shumë përpara se teknologjia të bëhej e mundur. Në shekullin XIX, pas shpikjes së telegrafit, telefonit dhe kamerës filmike, inxhinierët nisën të kërkonin mënyra për të transmetuar imazhe, jo vetëm zë.
U zbulua se elementi selen mund ta kthente dritën në impulse elektrike, duke hapur mundësinë e transmetimit të imazheve. Por qelizat e para me selen nuk ishin mjaftueshëm të fuqishme dhe sistemet elektrike të kohës nuk përballonin sasinë e të dhënave të nevojshme për një figurë lëvizëse.
Në vitin 1885, shpikësi gjerman Paul Nipkow patentoi një ide për një televizor mekanik që përdorte disqe me vrima, lente dhe qeliza me selen për të “skanuar” imazhin dhe për ta kthyer në rrymë elektrike. Por teknologjia e kohës nuk e lejonte realizimin praktik.
Në vitin 1900, inxhinieri rus Konstantin Perskiy përdori për herë të parë termin televizor, duke bashkuar fjalët “largësi” dhe “shikim”. Megjithatë, problemet teknike mbetën.
Demonstrimi i parë në vitin 1926
Në vitet 1920, John Logie Baird filloi të eksperimentonte me idetë e Nipkow-it. Ai ndryshoi mënyrën e ndriçimit dhe të kapjes së imazhit, duke e ndriçuar objektin pjesë-pjesë.
Me 26 janar të vitit 1926, Baird demonstroi pajisjen e tij para 50 shkencëtarëve dhe një gazetari në Londër. Edhe pse imazhi ishte i zbehtë dhe i turbullt, ai tregoi se transmetimi i figurave në lëvizje ishte i mundur.
Shumë shpejt, Baird nisi transmetime të rregullta nga laboratori i tij. Në të njëjtën kohë, shpikësi amerikan Charles Francis Jenkins kishte prezantuar radiovizionin e tij, ndërsa kompani si AT&T dhe Westinghouse po zhvillonin pajisje të ngjashme. Për këtë arsye, Baird konsiderohet një nga disa shpikësit e televizionit.
Në vitet 1930, televizorët mekanikë u zëvendësuan nga teknologjia elektronike, që përdorte rreze elektronike në vend të selenit. Pajisje si “Iconoscope” dhe “Emitron” e përmirësuan ndjeshëm cilësinë e figurës dhe e bënë televizionin më praktik.
Si u bë televizioni një forcë globale

Megjithëse eksperimentet e para zgjuan interes, televizorët ishin të shtrenjtë dhe stacionet e pakta. Lufta e Dytë Botërore ndaloi përkohësisht prodhimin. Në vitin 1946, në SHBA kishte rreth 44 mijë televizorë.
Pas luftës, prodhimi industrial u rrit dhe televizioni u përhap me shpejtësi. Deri në vitin 1952, në SHBA kishte rreth 24.3 milionë televizorë dhe 225 stacione transmetimi.
Me shtimin e kanaleve, u krijuan formate të reja si lajmet televizive, serialet, programet argëtuese dhe komeditë. Aktorë, producentë dhe reklamues e kuptuan shpejt fuqinë e këtij mediumi. Televizioni u bë pjesë e përditshme e jetës dhe krijoi një audiencë masive në çdo shtëpi.
Vitet 1950 konsiderohen “epoka e artë” e televizionit.
Sot, televizioni vazhdon të ndryshojë, i ndikuar nga telefonat inteligjentë dhe platformat digjitale. Në vitin 2024, rreth 96.8% e familjeve amerikane kishin ende një televizor, pak më pak se kulmi prej 98.9% në vitin 2011.
Edhe pse ekranet moderne janë shumë më të avancuara se televizori dy polësh i Baird-it, ato mbështeten në punën e tij dhe të shumë shpikësve të tjerë. Historia e televizionit tregon se shpikjet e mëdha shpesh lindin nga përpjekje të përbashkëta dhe fillime modeste. / National Geographic – Syri.net
