Lajme

Kush është Darko Duroviq, malazezi i lidhur me rusët i kapur pas hetimit të FBI-së dhe dy ish-paramilitarët serbë të luftës në Kosovë

Një hetim i publikuar nga The Insider ka zbuluar një rrjet operacionesh ruse në Perëndim, ku në qendër të vëmendjes del shtetasi malazez me shtetësi të dyfishtë, Darko Duroviq (ose Djuroviq), i cili dyshohet se ka vepruar si operativ në terren për një njësi të inteligjencës ruse.

Sipas raportit, Duroviq ka qenë bashkëpunëtor i afërt i oficerit rus Denis Alimov, i lidhur me strukturën e njohur si “Qendra 795”, një njësi e dyshuar për operacione të ndjeshme që përfshijnë mbikëqyrje, sabotim, rrëmbime dhe eliminime të synuara.

Alimov kishte kontakte me persona të njohur nga shërbimet perëndimore të sigurisë, përfshirë Dejan Beriq dhe Davor Saviçiq, të cilët më herët kanë qenë të lidhur me grupe paramilitare gjatë luftës në Kosovë, ndërkaq tani rekrutues të mercenarëve për ushtrinë ruse në Ukrainë. Të dy kanë qenë prej kohësh në shënjestrën e agjencive perëndimore të inteligjencës.

Sipas raportit, përmes këtyre lidhjeve mund të jetë realizuar edhe rekrutimi i Duroviqit, pavarësisht se ai ndodhej nën mbikëqyrje të autoriteteve amerikane.

Dokumentet e përmendura nga hetimi sugjerojnë se Duroviq ka pasur rol aktiv në identifikimin dhe ndjekjen e disidentëve çeçenë në Shtetet e Bashkuara, me qëllim rrëmbimin ose eliminimin e tyre. Për çdo objektiv raportohet se ishin ofruar pagesa deri në 1.5 milion dollarë, të përshkruara si “deportim në Rusi”, ndërsa në raste të tjera shpërblimet mund të arrinin deri në 10 milion dollarë, “gjallë ose i vdekur”.

Një nga objektivat e përmendur në komunikime ishte edhe ish-kryeministri i qeverisë çeçene në ekzil, Akhmed Zakayev.

Sipas hetimit, në një komunikim të datës 28 nëntor 2024, Duroviq i kishte raportuar Alimovit se nuk mund të konfirmonte vendndodhjen e një objektivi në New York, pasi ndodhej në Mal të Zi, duke planifikuar kthimin në SHBA më 20 dhjetor për të vazhduar kërkimet.

Raporti ngre gjithashtu dyshime mbi financimin e rrjetit, duke e lidhur atë me figura të fuqishme të biznesit dhe sigurisë në Rusi, përfshirë miliarderin Andrei Bokarev dhe kreun e Rostec, Sergei Chemezov. Struktura financiare përshkruhet si e ngjashme me modelin e përdorur më herët nga Yevgeny Prigozhin, duke kombinuar interesa shtetërore dhe private në operacione të fshehta.

Hetimi pretendon se njësia, fillimisht e fokusuar në luftën në Ukrainë, ka zgjeruar aktivitetin e saj në Evropë dhe SHBA, duke synuar kundërshtarë të regjimit rus.

Ndërkohë, Denis Alimov ndodhet në paraburgim në Kolumbi, ku përballet me akuza për komplot për vrasje, rrëmbim dhe mbështetje të terrorizmit, me dënime që mund të arrijnë deri në burgim të përjetshëm. Ai është arrestuar më 24 shkurt 2026 në Bogota, me identitet të rremë dhe dokumente jo-biometrike.

Sipas raportit, hetimi është ndihmuar edhe nga analiza e komunikimeve të përgjuara, ku përdorimi i aplikacioneve të enkriptuara dhe Google Translate ka lejuar autoritetet të gjurmojnë mesazhet, pasi të dhënat kalonin përmes serverëve të aksesueshëm me urdhër gjykate.

Alimov, i përshkruar si veteran i njësisë elitare FSB Alpha dhe me përvojë në OMON dhe Çeçeni, dyshohet se ka operuar në të njëjtat rrjete që lidhen edhe me figura të njohura të shërbimeve ruse të sigurisë.

Hetimi i The Insider e paraqet këtë rrjet si një nga shembujt më kompleksë të operacioneve të dyshuara të inteligjencës ruse jashtë vendit, duke kombinuar struktura shtetërore, paramilitare dhe financime private. / Geopost

Të Ngjashme