Në një histori që tregon fuqinë e angazhimit dhe të sakrificës. Shasime Osmani, vajza e mërgatës shqiptare, është zgjedhur deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernit, pas një rrugëtimi që nisi në vitet e vështira të mërgimit familjar.
Gazetari Enver Robelli, shkroi për historinë e Shasime Osmanit.
Historia e saj nis në fund të viteve 1970, kur gjyshi i saj u shpërngul nga Maqedonia në Zvicër për të punuar dhe siguruar një të ardhme më të mirë për familjen. Më 1993 erdhi i ati, ndërsa Shasimja, bashkë me nënën, u vendos në Zvicër më 1999, pas çlirimit të Kosovës.
Që nga ajo kohë, Shasimja ka ndjekur një rrugëtim të jashtëzakonshëm: studente e drejtësisë në Universitetin e Bernit, ajo u zgjodh fillimisht asambleiste në parlamentin e qytetit të Bernit dhe sot, më 2026, konfirmoi fuqinë e saj në politikën kantonale, duke u bërë deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernit. Mediat zvicerane e prezantuan atë si “një zë për ata që nuk kanë zë”.
Shasimja u rrit në lagjen Bümplitz-Bethlehem, një komunitet ku mundësitë janë të pakta dhe barazia sociale shpesh mungon. Vetëm 11 për qind e nxënësve të lagjes arrijnë të ndjekin gjimnazin, krahasuar me 40 për qind në lagjet e tjera. Ky realitet e motivoi Shasimen të angazhohej politikisht, duke u përkushtuar për barazi shkolle dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
Në ditën e fitores, Shasime shpërndau në Instagram një fotografi të një tepsi fli, shoqëruar me shënimin: “If you know, you know”. Një tjetër foto tregonte përqafimin me një kolege partie dhe një shënim prekës: “Aktualisht po rrjedhin vetëm lot”.
Rruga e Shasimes nga fëmijëria në një lagje të punëtorëve deri në parlamentin kantonal tregon se përkushtimi dhe pasioni për ndryshim social mund të kthejnë ëndrrat në realitet./Telegrafi.

