Lajme

“Kush po kërkon luftë në Kosovë?”, Dosti reagon ashpër ndaj…

Publicisti dhe analisti Adriatik Riza Dosti ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të disa politikanëve lidhur me mundësinë e dënimit  për ish-krerët e UÇK-së.

Në një shkrim të tij, Dosti kritikon deklaratat që, sipas tij, nxisin tensione dhe flasin për mundësi të rikthimit të dhunës në Kosovë, në rast të ndonjë vendimi të pafavorshëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve.

Dosti përmend disa deputetë dhe figura politike, duke i akuzuar për deklarata agresive dhe kërcënuese.

“Janë disa deputetë të çmendur, agresivë por edhe burracakë që bëjnë thirrje të tilla se nëse Haga i dënon ‘luftëtarët tanë’ të UÇK-së, krejt Kosova ka me u kallë”, shkruan ai.

Ai shprehet kritik edhe ndaj deklaratave për përgjegjësinë e NATO-s për atë që mund të ndodhë në Kosovë, duke e cilësuar si të papërgjegjshme një retorikë të tillë.

Dosti përmend me emër Ganimete Musliun, Isa Mustafën, Sami Lushtakun dhe Kujtim Shalën, duke komentuar deklaratat e tyre dhe qëndrimet e shfaqura në debatin politik.

Sipas tij, një pjesë e deputetëve të PDK-së dhe AAK-së kanë shtuar deklaratat dhe paralajmërimet për “luftë”, ndërsa vlerëson se disa përfaqësues të LDK-së janë treguar më të përmbajtur.

“Ja lirohet Hashimi, ja i vumë zjarrin Kosovës”, shkruan Dosti, duke ironizuar me retorikën që, sipas tij, po përdoret në skenën politike.

Në reagimin e tij, ai thekson se Kosova nuk duhet të kthehet në një arenë konflikti dhe se çdo tentativë për të përdorur armët kundër institucioneve dhe rendit kushtetues do të ishte një përballje me vetë Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Me kë do luftoni e kundër kujt… kundër Kosovës e popullit të saj… kundër Amerikës, NATO-s, KFOR-it, kundër BE-së, PE-së e Hagës?”, shkruan ai.

Dosti kritikon gjithashtu partitë opozitare për rezultatin e tyre politik, duke thënë se qytetarët e Kosovës u kanë dhënë përgjigjen e tyre përmes votës.

Në fund, ai paralajmëron se çdo përpjekje për të ngritur dorë kundër Kosovës do të përballet me kundërshtim dhe u bën thirrje politikanëve që të mos e përdorin UÇK-në dhe sakrificën e saj për retorikë politike.

“Ndaj larg duart tuaja të pista nga nderi e lavdia e Kosovës dhe e UÇK-së, në emër të të cilave keni folur e vepruar deri më sot”, përfundon Dosti.

Të Ngjashme