Lajme

Kushtetuesja e rrëzoi, a do të votojnë socialistët nesër marrëveshjen e Ramës?

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar pasditen e kësaj të mërkure se ka marrë në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga opozita, për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, për strehimin e përkohshëm në Shëngjin të emigrantëve që kapen në Detin Mesdhe.

Socialistët e drejtuar nga Edi Rama e kishin dërguar marrëveshjen në Kuvend për ratifikim dhe nesër, të enjten pritej një debat i fortë.

Kryeministri dhe i pari i socialistëve u kërkoi të vetëve të hënën që të angazhoheshin më shumë në komisione dhe veprimtarinë parlamentare, teksa ishte paralajmëruar se në seancën plenare të 14 Dhjetorit do të ishte dhe vetë i pranishëm për të mbrojtur marrëveshjen.

Mirëpo, ky vendim i sotëm i Gjykatës Kushtetuese u ka prerë hovin deputetëve të mazhorancës, më pak se 24 orë para votimit në seancë plenare.

“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare”, thotë vendimi.

Në këto kushte, kur një çështje kalon për shqyrtim pezullohet automatikisht ratifikimi i saj në Kuvendin e Shqipërisë. Kryegjyqtarja Holta Zaçaj është shprehur se do të marrë të gjitha masat që stafi i Gjykatës Kushtetuese të njoftojë zyrtarisht në kohë shërbimet e Kuvendit.

“Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, përmbyllet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse socialistët do të respektojnë vendimin e organit më të lartë të drejtësisë që shqyrton ligjshmërinë e akteve, vendimeve dhe ligjeve, apo do të hapin një precedent të ri duke votuar marrëveshjen me Italinë.

// Newsbomb.al

Vendimi i Gjykates Kushtetuese per shqyrtimin e marreveshjes me Italine
Vendimi i Gjykates Kushtetuese per shqyrtimin e marreveshjes me Italine

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo