Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se zgjedhja e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Në njoftimin për aktgjykimin, Gjykata tha më 28 janar se ky “në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues”.
Çështja e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës
Më 16 tetor 2025, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – iu drejtua Kushtetueses me ankesë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
Gjykata më e lartë në vend veçse kishte trajtuar një ankesë të Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kryeparlamentari Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.
Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.
Në atë vendim, Kushtetuesja tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.
Rashiq ka qenë ministër në Qeverinë e Albin Kurtit, duke udhëhequr dikasterin për Komunitete dhe Kthim.
Lista Serbe ka argumentuar se zgjedhja e Rashiqit është “jolegjitime” dhe paralajmëroi se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponon serbëve përfaqësues, duke legalizuar ashtu “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.
Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte mandatuar udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Por, as Kurti dhe as mandatari i dytë, Glauk Konjufca, nuk arritën ta bënin Qeverinë dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja më 28 dhjetor. / REL
