Kutitë e votimit për zgjedhjen e presidentit apo presidentes po dërgohen në sallën plenare.
Orët vendimtare për përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit/es janë ofruar dhe pak minuta më parë Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të propozojë Glauk Konjufcën për president të Kosovës.
Në një njoftim për media, kjo parti tha se deri te ky vendim erdhi pasi nuk u gjet një kandidat konsensual për këtë post.
“Në këto rrethana, Lëvizja Vetëvendosje, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca”, u tha në njoftimin e LVV-së.
Kjo parti ftoi edhe një herë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat, ndërsa u ofroi ndihmë për mbledhjen e nënshkrimeve.
Po ashtu po raportohet se sonte mund të ketë seanca lidhur me çështjen e presidentit duke filluar nga ora 19:00.
