Lajme

Kuvendi mban nesër dy seanca, njëra i kushtohet Eliot Engel

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë dy seanca gjatë ditës së premte, më 24 prill 2026.

Seanca e parë, e veçantë, do të nisë në orën 10:00 në sallën e Kuvendit. Në kuadër të saj do të mbahet një ceremoni përkujtimore në nderim të ish-kongresmenit amerikan, Eliot Engel.

Ndërkaq, nga ora 11:00 do të vazhdojë seanca plenare.

Deputetët pritet të shqyrtojnë dhe miratojnë procesverbalin e seancës së kaluar, si dhe të zhvillojnë deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Në mesin e pikave kryesore janë edhe shqyrtimi i dy projektligjeve për ratifikimin e amendamenteve të marrëveshjeve financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kuadër të programeve IPA 2019 dhe IPA 2020.

Po ashtu, në rend dite janë edhe disa emërime të rëndësishme institucionale, përfshirë zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur të Mediave.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe një propozim-rezolutë që ka të bëjë me avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Në fund, pritet të trajtohet edhe propozimi i Grupit parlamentar “Multietnik” për zëvendësimin e deputetëve në komisione parlamentare.

Të Ngjashme