Bllokada politike po vazhdon edhe pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Legjislaturës së njëmbëdhjetë. Deputetët nuk arritën ta përmbyllin procesin brenda 7 gushtit, ndërsa partitë politike vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për mënyrën e tejkalimit të krizës. Analistët paralajmërojnë pasoja serioze për funksionimin e institucioneve, ndërsa nga IKD thonë se vendi tashmë po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
Deputetët e zgjedhur me votë të popullit nuk arritën ta konstituojnë plotësisht Legjislaturën e njëmbëdhjetë, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, më 7 gusht.
Partia fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje, ka kërkuar kohë shtesë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike lidhur me presidentin e ri të vendit. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca po kërkojnë konstituimin e Kuvendit.
Analisti politik Artan Muhaxhiri e vlerëson situatën si jashtëzakonisht të rëndë dhe shqetësuese, duke e krahasuar me bllokadën politike të vitit të kaluar. Sipas Muhaxhirit, edhe kësaj radhe Gjykata Kushtetuese mund të jetë institucioni që do t’i japë epilog situatës së krijuar, pasi partitë politike nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje.
“Sigurisht, edhe herën e kaluar, prapëseprapë, adresa e vetme për t’i dhënë një epilog kësaj situate do të jetë Gjykata Kushtetuese, sepse partitë politike janë të paafta dhe të papërgjegjshme për ta arritur vetë një zgjidhje të pranueshme. Ndaj, sigurisht, edhe kësaj radhe, Gjykata Kushtetuese do të jetë e detyruar të sjellë një vendim, i cili, pikërisht për shkak të kësaj papërgjegjshmërie politike, do të krijojë edhe një precedent negativ për shtetin e Kosovës”, deklaron Artan Muhaxhiri.
Muhaxhiri thotë se moszgjidhja e situatës do ta dëmtonte edhe më tej imazhin e Kosovës, ndërsa si mundësi politike për tejkalimin e krizës e sheh kompromisin rreth postit të presidentit.
“Nëse kjo çështje nuk adresohet në shkallën përfundimtare, do të bëhemi gazi i botës, sepse për herë të parë do të kemi një situatë bllokimi ku palët jo vetëm që nuk gjejnë mundësi, por nuk i kuptojnë as hapësirat ligjore që do të ndihmonin për të arritur drejt një zgjidhjeje adekuate. Kjo do të ishte mjaft shqetësuese dhe do të ishte shkatërruese për imazhin e shtetit të Kosovës. Politikisht ekziston vetëm një mundësi: që posti i presidentit t’i takojë partisë që ka dalë e para në zgjedhje, sepse kjo është e vetmja mundësi për ta zhbllokuar situatën. Por, aktualisht, duhet të ketë një kompromis nga z. Kurti dhe nga partia e tij që të shkohet me këtë opsion. Të gjitha opsionet e tjera janë vazhdim i bllokadës dhe vazhdim i krizës në të cilën jemi aktualisht”, potencon Muhaxhiri.
Ndërkohë, situatën e ndërlikuar politike e kanë komentuar edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Sipas IKD-së, vendi tashmë po shkon drejt zgjedhjeve të reja, por edhe një proces i ri zgjedhor mund të prodhojë një tjetër ngërç politik.
“Shkuarja në zgjedhje të reja rrezikon të prodhojë një tjetër ngërç politik. Dhjetëra institucione dhe organe kolegjiale mbeten të paplotësuara për shkak të mungesës së emërimeve nga Kuvendi dhe Qeveria. Si pasojë, një pjesë e tyre janë të paralizuara, një pjesë funksionojnë me kapacitete të kufizuara, ndërsa disa nuk kanë fare borde ose drejtues me mandat të plotë. Sipas vlerësimeve tona, janë të paktën 24 institucione që preken nga kjo situatë. Kjo dëmton funksionimin normal të shtetit, cenon sundimin e ligjit dhe dobëson integritetin institucional të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Naim Jakaj nga IKD.
Bllokada institucionale po e lë vendin përballë një situate të pasigurt politike, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për tejkalimin e krizës.
