Lajme

Kuvendi me një nënkryetar, VV nuk i voton nënkryetarët e ish-opozitës

Kuvendi me një nënkryetar, VV nuk i voton nënkryetarët e ish-opozitës

Deputetët u mblodhën sërish.

Mirëpo, përsëri rezultat nuk prodhuan.

Madje, në seancën e sotme të Kuvendit, ku pritej që më në fund të ndodhte konstituimi, votimi u bllokua tek çështja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, problem u bë propozimi i PDK-së, që Vlora Çitaku ta marrë këtë pozitë.

Me të filluar seanca, shefat e grupeve parlamentare u thirrën nga kryekuvendarja për konsultime.

Kërkesa e Vetëvendosjes ishte e njëjta, ndryshimi i emrave të propozuar nga PDK dhe LDK për nënkryetarë.

Por deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se me këtë qasje Vetëvendosje e ka për qëllim moskonstituimin e organit legjislativ.

Edhe shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu tha se janë të gatshëm të votojnë cilën do formë.

Kësisoj, kryetarja e Kuvendit tha se do të votojnë për secilin propozim veç e veç.

Menjëherë filluan votimin për nënkryetarin e parë nga Vetëvendosje, Ardian Golën.

Gola mori përkrahjen edhe të opozitës, dhe me 101 vota u zgjodh nënkryetar.

Pas kësaj, radhën për votim e kishte e propozuara e PDK-së Vlora Çitaku.

Por këtu, dritat jeshile të votave u ndezën vetëm nga deputetët opozitarë.

Vetëvendosje vendosi të abstenoj.

Deputetët e PDK-së vendosën ta lëshojnë sallën.

Mirëpo, jo edhe Mërgim Lushtaku.

Mungesa e tyre, bëri që seanca të ndërpritet.

E kur seanca rinisi pas orës 14:00, PDK s’u paraqit sërish në sallë.

Pas situatës së krijuar, edhe LDK refuzoi të marrë pjesë në votimin për nënkryetarin e saj.

Kur u tentua të hidhej në votim, edhe deputetët e LDK-së lëshuan sallën.

Kështu vazhdimi i seancës u thirr për të dielën në ora 10:00.

Të Ngjashme