Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare ka miratuar shtatë marrëveshje ndërkombëtare që ishin në rend të ditës.
Ndërkohë, katër marrëveshje ndërkombëtare të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje nuk u miratuan, pasi Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në votim, duke pamundësuar kuorumin.
Me 81 vota për u miratua Projektligji nr.10/L-009 për Ratifikimin e Amendamentit “nr.3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018”, dhe njëkohësisht u miratua edhe amendamenti nr-2 i këtij projektligji, transmeton Klankosova.tv.
Projektligji nr.10/L-0010 për Ratifikimin e Amendamentit “nr.2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017”, po ashtu kaloi me 81 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Deputetët votuan pro edhe për Projektligjin për ratifikim të Marrëveshjes së Kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
U miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike.
Të zgjedhurit e popullit votuan dhe e miratuan edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ‘Projekti me Shpejtësi të Lartë Prishtinë-Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
Edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë” kaloi me 81 vota për.
Ndërsa u miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës.
