Lajme

Ky është i riu me të kaluar kriminale që kërcënoi Policinë në Prizren, ndalohet për 48 orë

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një rast i tillë ka ndodh edhe në Prizren, konkretisht në rrugën “Fan Noli”, ku një qytetar i ka kanosur disa policë derisa ishin duke e kryer punën e tyre.

Media merr vesh se i dyshuar për rastin është Misin Basha, 29 vjeçar, person me të kaluar kriminale.

Image
 Misin Basha

Sipas burimeve, i dyshuari nuk ishte ndalur pas urdhrit të patrullës policore, fakt ky që i ka bërë Policinë ta ndjekin atë – derisa e kanë kapur.

Pas këtij momenti, i dyshuari që ka qenë nën ndikimin e alkoolit i ka kërcënuar zyrtarët policorë.

Për pasojë, Basha është arrestuar nga Policia e Prizrenit.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’.

Po ashtu ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Media kishte raportuar gjatë verës për Misin Bashën, emër ky i njohur për organet e rendit.

Ai ka të kaluar kriminale për plot raste që lidhen me veprat për substanca narkotike, vjedhje e kanosje, “Lëndim trupor” e po ashtu edhe për “Dhunë në familje”.