Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht identitetin e të riut që dyshohet se ushtroi dhunë brutale ndaj partneres së tij në Pejë, duke e lënë pa ndjenja pas goditjeve.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Eronid Ademajn, i cili është arrestuar nga Policia pas denoncimit të rastit tronditës të dhunës në familje.
Sipas informatave të siguruara, ngjarja kishte ndodhur në vilat “Ukaj”, ku çifti kishte shkuar bashkë, por situata kishte degraduar pas një fjalosjeje të ashpër.
Viktima A. L. ka deklaruar para hetuesve se i dyshuari e kishte goditur fizikisht deri në atë masë sa kishte humbur ndjenjat dhe ishte alivanosur.
Sinjali mëson se pasi ajo ishte këndellur, i dyshuari e kishte dërguar në shtëpi, ndërsa më pas janë konstatuar edhe lëndime të dukshme në trupin e saj.
Burimet thonë se çifti kishte qenë në lidhje prej rreth katër vitesh dhe se mes tyre kishte pasur probleme dhe konflikte edhe më herët.
Pas raportimit të rastit, viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe e ka shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar rast penal dhe është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
“U alivanos nga goditjet” – arrestohet i riu në Pejë, e dërgoi të dashurën e dhunuar në shtëpi
