LifeStyle

Ky “kompliment” në rrjete sociale po kritikohet gjithnjë e më shumë

Komentet që lidhen me moshën shpesh konsiderohen si komplimente, por në shumë raste ato mund të fshehin stereotipe të rrënjosura thellë në shoqëri. Sa herë i kemi thënë një gruaje: “Dukesh më e re” ose “Nuk dukesh sa mosha që ke”? Edhe pse këto fjalë zakonisht thuhen me qëllim të mirë, ato shpesh përforcojnë idenë se vlera e një gruaje lidhet me sa e re duket.

Kjo temë është hapur së fundmi nga influencuesja Ting Ma, e cila në një video të publikuar në Instagram ka bërë thirrje që të rishqyrtojmë mënyrën se si flasim për moshën dhe bukurinë. Mesazhi i saj është i qartë: të dukesh sipas moshës që ke nuk është diçka për t’u fshehur apo për t’u justifikuar.

“Jam 55 vjeç dhe dukem tamam si 55 vjeç. Mos i thoni më një gruaje ‘dukesh më e re’ ose ‘dukesh shumë mirë për moshën tënde’. Nuk është kompliment. Thjesht përforcon kulturën e fiksimit për t’u sukur më e re,” shprehet ajo në video.

Sipas saj, çdo njeri duket ndryshe dhe nuk ekziston një mënyrë e vetme se si duhet të duket një person në një moshë të caktuar. Ajo thotë se është lodhur duke dëgjuar komente të tipit: 

“Ajo është 50 vjeç, por duket 20 vite më e re.” 

Për të, kjo ngre një pyetje të thjeshtë: pse duhet të jetë pikërisht ky qëllimi?

Ting Ma thekson gjithashtu se shumë njerëz në botë nuk arrijnë kurrë të jetojnë aq gjatë sa 55 vjeç, ndaj mosha duhet parë si një privilegj dhe jo si diçka që duhet fshehur. 

“Gratë nuk i detyrohen botës asnjë rini të përjetshme apo bukuri të ngrirë në kohë,” thotë ajo.

Sipas saj, të dukesh ashtu siç je nuk është një dështim. Rinia, shton ajo, nuk është një standard për të gjykuar askënd, por thjesht një fazë e jetës, ashtu si çdo stinë tjetër që vjen dhe kalon.

Mesazhi i saj ka gjetur jehonë tek shumë përdorues në rrjetet sociale, duke hapur një diskutim më të gjerë për presionin që shoqëria u vendos grave për të ruajtur një pamje të ‘freskët’ përgjithmonë. Në një kohë kur industria e bukurisë dhe rrjetet sociale shpesh promovojnë idealin e rinisë së përhershme, zëra si ai i Ting Ma-së kujtojnë se pranimi i moshës dhe i vetes është një formë fuqie dhe vetëbesimi.

Fundja, ideja që dikush duhet të duket më i ri për t’u konsideruar i bukur po sfidohet gjithnjë e më shumë. Dhe ndoshta komplimenti më i mirë nuk është “dukesh më e re”, por thjesht: “dukesh mirë ashtu siç je.”

Të Ngjashme