Shëndetësi

Ky zakon i thjeshtë ul rrezikun e vdekjes deri në 40%

A dëshironi të jetoni më gjatë dhe më shëndetshëm? Një meta-analizë e re që përfshin 85 studime dhe mbi 7 milionë persona nga mbarë bota tregon se aktiviteti fizik i rregullt, që rrit ritmin e zemrës dhe frymëmarrjes, ul ndjeshëm rrezikun e vdekjes së parakohshme nga çdo shkak – deri në 40%.

“Aktiviteti fizik është më i rëndësishëm për shëndetin afatgjatë sesa kemi menduar ndonjëherë”, thekson George Mielke, bashkautor i studimit nga Universiteti Queensland në Australi. Edhe pse nuk ishte pjesë e kërkimit, Dr. Andrew Freeman nga spitali National Jewish Health në Denver e cilëson aktivitetin fizik si “magji të pastër” që “ulen rreziqet në mënyra që asnjë ilaç nuk mund t’i bëjë”.

Në të vërtetë, lajmi i mirë është se asnjëherë nuk është vonë për të filluar. Studimi tregon se edhe ata që kanë nisur të ushtrojnë në moshë të madhe, kanë përfituar ndjeshëm në jetëgjatësi, madje më shumë se të rinjtë, me një ulje shtesë prej 10–15% të rrezikut për vdekje të hershme. “Lëvizja në çdo moshë ndihmon për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme”, shton Mielke.

Studimi, i publikuar në British Journal of Sports Medicine, është cilësuar si analiza më gjithëpërfshirëse mbi ndikimin afatgjatë të aktivitetit fizik. Ai mbështet rekomandimet e OBSH-së: të paktën 150–300 minuta në javë aktivitet aerobik me intensitet mesatar ose 75–150 minuta aktivitet intensiv. Përfitimet janë të mëdha – një reduktim me 40% i rrezikut të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 25% nga kanceri.

Rezultatet më të mira janë regjistruar tek ata që ushtrojnë të paktën 300 minuta në javë, por sipas autorëve, më shumë se kaq nuk sjell përfitime shtesë. Ndërkaq, edhe një fillim i vonshëm rezulton i dobishëm – ata që nisën aktivitetin fizik më vonë patën një ulje me 22% të rrezikut të vdekjes së parakohshme. Përkundrazi, ata që ndalën ushtrimet humbën përfitimet.

Mielke thekson se edhe aktiviteti modest sjell përfitime të qarta krahasuar me mungesën totale të lëvizjes. “Sekreti është qëndrueshmëria. Zgjidhni aktivitete që ju pëlqejnë dhe që mund t’i ndiqni në mënyrë të rregullt”, thotë ai.

Freeman, ndërkohë, sugjeron që për një shëndet optimal, aktivitetit aerobik t’i shtohen edhe ushtrime për forcimin e muskujve – që nga ngritja e peshave të lehta, ecja në kodër apo çiklizmi. “Qëllimi është të kombinohen kardio dhe forca. Kështu ju forconi zemrën, muskujt dhe përmirësoni cilësinë e jetës.”

Në fund, mesazhi është i qartë: lëvizni – çdo ditë, çdo moshë, çdo mënyrë. Jeta juaj mund të jetë më e gjatë dhe më e mirë.

Të Ngjashme