
Spanja njeh zyrtarisht pasaportën e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët që duan të udhëtojnë drejt këtij vendi, nuk kanë nevojë të pajisen me vizë. Ashtu siç udhëtojnë prej 1 Janarit 2024 në vendet e Zonës Shengen pa viza, ashtu shqiptarët e Kosovës do të udhëtojnë edhe drejt Spanjës.
Vendi nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, por me pranimin e udhëtimit pa viza ka njohur pasaportën e saj, shkruan newsbomb.al. Lajmi është konfirmuar dhe nga zv/kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi.
“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti.
Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë. Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”, shkruan Bislimi.
Edhe mediat në Kosovë kanë publikuar një mesazh që Ambasada e Spanjës në Shkup i ka kthyer një shqiptari, duke i thënë se nuk kanë nevojë të pajisen me viza sepse aplikohet i njëjti standard sikurse në të gjitha shtetet e zonës Shengen.
Bëhet fjalë për pronarin e kompanisë farmaceutike “Komot Pharm”, Fatmir Karabaxhaku i cili ka thënë në një prononcim për Telegrafin se, tashmë Spanja e njeh pasaportën e Kosovës.
“Ne jemi pajisur gjithmonë dhe në çdo kohë me viza spanjolle si kompani. Pata me udhëtu prapë në muajin tjetër në Spanjë, dhe zyrtarisht sot e mora e-mailin zyrtar që ne nuk kemi nevojë që të pajisemi me viza dhe aplikohet i njëjti standard sikurse në të gjitha shtetet e zonës Schengen”, ka thënë Fatmir Karabaxhaku.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo