Lajme

Lajm i trishtë për familjen dhe miqtë, ndahet nga jeta Sofo Kuteli i Llogarasë

Sofo Kuteli, biznesmeni lokal dhe pronari i Hotel “Sofo” në Llogara, mësohet se është ndarë nga jeta pak orë para ndërrimit të viteve, shkruan newsbomb.al. Një lajm i trishtë për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njihnin Sofon e Llogarasë.

Kështu e thërrisnin të gjithë ata që kanë kaluar të paktën një herë në Qafën e Llogarasë dhe janë ndaluar në restorantin dhe hotelin e Sofo Kutelit.

I njohur për bujarinë dhe mikpritjen e rrallë, Sofo Kuteli kishte ngritur në Llogara një nga restorantet më të njohura e të frekuentuara nga turistët vendas dhe ata të huaj. Hotel-Restorant “Sofo” është ndër të parat biznese në Qafën e Llogarasë dhe ushtron punën prej më shumë se tre dekadash.

Familja Kuteli me në krye Sofon ka qenë gjatë ditës së djeshme duke shpërndarë pako me ndihma për Vitin e Ri në zonën e Orikumit, atje ku Sofo Kuteli kishte origjinën, por zemra e ka tradhëtuar duke ndaluar përgjithmonë, shkruan newsbomb.al.

Sot, më datë 1 Janar ai është përcjell për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij që e deshi aq shumë dhe për dekada me radhë u përpoq ta ngrinte në majat më të larta të turizmit dhe kulinarisë.

Fotografi Alket Ismali ka ndarë një fotografi të Sofo Kutelit me bashkëshorten dhe shkruan zemërthyer për ikjen e mikut të tij.

“Se besoj por ja qe… Edhe diten e sotme familja e madhe Kuteli po shpendante pako ndihme ushqimore ne disa shtepi te Orikumit dhe ne pune e siper Zemra tradhetoi ambasadorin e kulinarise se bregdetit shqiptar, Sofo Kuteli”, shkruan Alket Islami.

Redaksia e Newsbomb.al i shpreh ngushëllime familjes Kuteli për ikjen e parakohshme nga kjo jetë e më të shtrenjtit të tyre!

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo