LifeStyle

Lamtumira e fundit për ‘mbretin e modës’, Giorgio Armani

Që në orët e para të mëngjesit, qytetarë nga e gjithë Italia dhe jo vetëm u mblodhën në Milano për t’i bërë nderimet e fundit mjeshtrit të madh të modës, Giorgio Armani.

Ceremonia mortore u hap zyrtarisht në orën 09:00 në Teatrin Armani në Milano, në një atmosferë të ngarkuar me emocione dhe respekt.

Nderimet do të mbahen për dy ditë me radhë. Dy hyrje janë organizuar, ku njëra është për punonjësit e shtëpisë së famshme Armani, dhe tjetra për publikun e gjerë që ka ardhur të nderojë një prej figurave më të mëdha të stilit italian.

“Çdo gjë që bëri në jetën e tij, e bëri pikërisht për shkak të pasionit të tij të palëkundur. Prandaj, ai është një shembull profesionalizmi dhe pasioni.”

Stilisti ishte “gjithmonë një hap përpara të tjerëve”, shtoi një tjetër banor i Milanos.

Stilistja italiane e modës Donatella Versace u filmua teksa po përqafonte modelen Valeria Mazza përpara se t’i bënin homazhe Giorgio Armani.

Giuseppe Tornatore, një regjisor italian filmash, u pa gjithashtu në teatrin ku turmat prisnin në radhë për të parë Armanin.

Punonjësit e Armanit shprehen të pikëlluar për humbjen e stilistit, ndërsa shtuan se ishte shumë i kujdesshëm.

“Unë jam një nga punonjëset e tij, ndihem thellësisht e lidhur me të. Ai kurrë nuk na la të na mungonte asgjë. Do ta kujtojmë gjithmonë sa mikpritës ishte, duke na hapur gjithmonë dyert e shtëpisë së tij. Një person i jashtëzakonshëm. Sigurisht, nuk e njihja nga afër, por ai gjithmonë bënte përpjekje për të qenë i pranishëm në zyrat tona, dhe kjo do të thoshte shumë, duke pasur parasysh se kush ishte.”

Stilisti i madh ndërroi jetë të enjten, në moshën 91-vjeçare.

Giorgio Armani ishte njeriu që e bëri elegancën italiane të pavdekshme. Ai veshi yje të Hollivudit, ndërtoi një perandori që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si bota sheh modën.

Armani themeloi një nga markat më të njohura të modës në botë gjatë pesë dekadave të fundit dhe vdekja e tij ngre në mënyrë të pashmangshme pyetje rreth të ardhmes së një kompanie italiane, pavarësinë e së cilës ai e çmonte.

Të Ngjashme