Lajme

Largimet e shqiptarëve në veri të Kosovës pas kthimit të Listës Serbe, paralajmërohen pasoja të rënda, ja çka thonë nga Lëvizja Vetëvendosje

Kthimi i Listës Serbe në udhëheqjen e komunave me shumicë serbe duket se ka shënuar edhe fillimin e një vale të re largimesh të shqiptarëve nga vendet e punës. Sipas raportimeve të deritanishme, të paktën tre qytetarë shqiptarë kanë deklaruar se janë larguar nga puna në pjesën veriore të Mitrovicës, menjëherë pas ndryshimeve në strukturat komunale.

Lidhur me këtë situatë, ish-kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka reaguar ashpër, duke i cilësuar këto veprime si politike, selektive dhe në kundërshtim të plotë me ligjin. Ai ka paralajmëruar se një qasje e tillë jo vetëm që cenon të drejtat e qytetarëve, por rrezikon edhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në veri të vendit.

Sipas Zeqirit, vendimet që po merren nuk mbështeten në asnjë bazë ligjore apo procedurë administrative të qartë, por po aplikohen në mënyrë të njëanshme, kryesisht ndaj punëtorëve shqiptarë, pa dhënë arsye konkrete apo sqarime institucionale. “Natyrisht, nëse do të vazhdohet kështu, kjo situatë mund t’i përkeqësojë raportet etnike, sepse veprimet e ndërmarra nga Lista Serbe janë veprime politike dhe arbitrare. Nuk po shoh asnjë rregull ligjor; merren vendime vetëm ndaj punëtorëve shqiptarë, pa ndonjë arsye konkrete”, ka deklaruar ai.

Zeqiri ka shtuar se, ndonëse në Komunën e Zubin Potokut deri më tani nuk janë evidentuar raste të tilla, kjo nuk përjashton mundësinë që situata të përsëritet edhe atje në ditët në vijim. Ai ka theksuar se këto veprime i sheh si kundërligjore dhe me pasoja serioze për stabilitetin dhe bashkëjetesën në komunat veriore.

Në fund, ish-kryetari ka bërë thirrje për reagim të menjëhershëm institucional, duke kërkuar që organet përgjegjëse të ndërhyjnë për të parandaluar tensione të reja, për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe për të garantuar zbatimin e ligjit dhe parimin e barazisë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, thotë se ky është një akt i qëllimshëm dhe i organizuar diskriminues.

Sipas tij, pasojat e këtyre veprimeve janë të rënda.

“Largimi i shqiptarëve nga puna pas instalimit të kryetarëve të rinj nga Lista Serbe nuk është çështje administrative apo individuale, por një akt i qëllimshëm dhe i organizuar diskriminues, që synon ushtrimin e presionit, frikësimit dhe destabilizimit të vendit. Kjo sjellje është vazhdimësi e një politike të qëllimshme për ta mbajtur veriun peng të tensioneve etnike dhe për të sabotuar funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Pasojat e këtyre veprimeve janë të rënda: ato dëmtojnë drejtpërdrejt marrëdhëniet ndëretnike, cenojnë sigurinë dhe minojnë çdo përpjekje për stabilitet afatgjatë në veri”, thotë Dugolli për “Bota sot”.

Image
Enver Dugolli

Sipas tij, Lista serbe zgjedh rrugën e përjashtimit dhe konfliktit.

Ai kërkon reagim nga institucionet e Kosovës.

“Në vend të dialogut dhe integrimit, Lista Serbe po zgjedh rrugën e përjashtimit dhe konfliktit, duke u shndërruar në një faktor të hapur destabilizues dhe jo përfaqësues të interesave reale të qytetarëve serbë. Institucionet e Republikës së Kosovës, në veçanti gjykatat, duhet të reagojnë me vendosmëri, të garantojnë mbrojtjen e të drejtave të punës dhe barazisë qytetare për të gjithë, si dhe të mos lejojnë që praktika të tilla hakmarrëse të kthehen në normalitet. Bashkëjetesa nuk ndërtohet mbi premisat e përjashtimeve, por duke respektuar ligjin, barazinë dhe përgjegjësinë për të gjithë, pa dallim”, përfundon Dugolli.

Të Ngjashme