Lajme

​Largimi i masave, qeveria në detyrë i reagon Bashkimit Evropian

Çdo zvarritje për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës vetëm sa e cenon kredibilitetin e Bashkimit Evropian, thonë në qeverinë në detyrë. Pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri, në ekzekutiv thonë se masat nuk kanë më as kuptim dhe as bazë në realitetin në terren, raporton KosovaPress.

Javën e kaluar kryetarët e zgjedhur nga komuniteti serb në zgjedhjet lokale janë betuar në katër komunat në veri, Mitrovicë e Jugut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Në Bashkimin Evropian e kanë mirëpritur tranzicionin e pushtetit në veri, por nuk kanë treguar se kur do të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Madje në një përgjigje për KosovaPress të njëjtit e kanë ndërlidhur heqjen e masave edhe me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit në nivel vendi.

Mirëpo, Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, thotë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nuk kanë asnjë lidhje me këtë proces.

Kadiu thekson se masat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht nga Bashkimi Evropian.

“Së fundmi, Komisioni Evropian konstatoi në Raportin për Vendin në fillim të muajit të kaluar se masat do të hiqen pas zgjedhjeve lokale dhe transferimit të suksesshëm të pushtetit në katër komunat në veri. Edhe kjo tashmë ka ndodhur, në mënyrë paqësore, ligjore dhe pa asnjë incident. Çdo zvarritje tjetër vetëm sa e thellon absurditetin e masave dhe e cenon kredibilitetin e BE-së. Qëndrimi ynë është që masat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nuk kanë asnjë lidhje me këtë proces”, thuhet në përgjigjen e tij për KosovaPress.

Bashkimi Evropian në muajin korrik të këtij viti ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkuese. Sipas qeverisë në detyrë tashmë janë zhbllokuar fonde për Kosovën nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (ËBIF). Sipas tyre, pas rifillimit të mbajtjes së takimeve në kuadër të nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) janë aprovuar edhe projekte me të cilat Kosova ka aplikuar në fusha si energjia apo digjitalizimi.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në vitin 2023, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri.