ShowBizzz

Lazim Destani : Jemi krenarë për arritjet e Shkëndijës në ligat europiane

Loja miqësore mes Klubit Futbollistik Shkëndija nga Tetova dhe Wil nga Zvicra, u zhvillua në një atmosferë festive ditën e shtunë, para një numri të madh spektatorësh.

Sipas nikoqirëve në Stadium ishin prezent mbi 5000 persona. Ishte një lojë cilësore e cila përfundoi 3:1 në favor të KF Shkëndija.

Lojës miqësore mes dy skuadrave i paraprinë një sërë aktivitetesh sportive dhe kulturore, si këngë dhe valle të realizuara nga Shoqata Kulturoro Artistike, “Xheladin Zeqiri“, pelivanë të ardhur enkas nga Maqedonia dhe për fund, nuk mund të mungonte grupi më i popullarizuar i rokut shqiptar, “Elita 5”.

 

Para të pranishmëve mori fjalën e rastit filantropi i njohur Lazim Destani, (pronari i KF Shkëndija). Pasi përshëndeti të pranishmit, ai falënderoi organizatorët e këtij aktiviteti tha se “ky takim është një moment i veçantë për Shkëndijën, jo sepse nuk e kemi parë të luajë në Europë, por për faktin se këtu në Zvicër Shkëndija vjen për herë të parë dhe ku ne kemi aq shumë bashkatdhetarë e mbështetës të klubit kuqezi.

 

Ne të gjithë jemi krenarë për arritjet e Shkëndijës në ligat europiane. Milan, Totenhem, Red Bull Salzburg, Rosenborg janë vetëm disa nga skuadrat e nivelit të lartë të futbollit europian me të cilat Shkëndija është përballur gjatë këtyre viteve.

Te këto dhe te shumë ndeshje të tjera nëpër Europë ne e kemi parë se Shkëndijës nuk i ka munguar kurrë mbështetja masive e bashkatdhetarëve tanë. Dhe ja sot si shpërblim për mërgimtarët tanë të kësaj ane, ne sollëm Shkëndijën për ta bërë këtë ndeshje këtu në mes të Zvicrës.
Një pjesë e Kryesisë së RrBDShZ me Lazim Destanin: Nazmi Jakurti, Lazim Destani, Rexhep Berisha, Anton Nikolla dhe Afrim Veliu
Krahas futbollit kjo ngjarje shpalos dhe vlera nga trashëgimia jonë kulturore. Këtu sot i kemi dhe artistët tanë të nderuar që kanë ardhur për t’ia shtuar kënaqësinë e bukurinë kësaj ngjarje.
Gëzohem që në këtë mes e kemi të pranishëm një emër të madh të sportit, i cili arriti majat e suksesit botëror në disiplinën e mundjes, shkupjanin e nderuar Shaban Tërstena.


Dhe në përfundim të fjalës sime, dëshiroj te falënderoj shtetin zviceran për përkrahjen e vazhdueshme që i jep popullit shqiptarë“ – tha në fund të fjalimit të tij Lazim Destani.