Lajme

“LDK e kapur nga oligarkët, PDK me urdhra nga Haga”, Aliçkaj trondit me deklaratën – zbulon skenarët kundër LVV-së

Kuvendit të Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një javë kohë për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje ditë më parë ka ftuar për takim liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por që nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit gjatë një takimi të mbajtur të hënën.

Poashtu, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur qëndrimin e saj pas zhvillimeve rreth procesit të zgjedhjes së Presidentit, duke deklaruar se nuk është vlerësuar mjaftueshëm konstruktiviteti i saj gjatë këtij procesi.

Drejtor Ekzekutiv të organizatës Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), Agim Aliçkaj në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se “fjalën e fundit e ka populli i Kosovës”.

Ai ka kritikuar opozitën, duke deklaruar se nuk po e pranon humbjen në zgjedhje dhe po vepron me bllokime e kundërshtime politike.

Sipas tij, opozita synon një shtet të dobët dhe nuk po reflekton për gabimet e së kaluarës, duke shtuar se pengesë për ta janë figurat politike që nuk janë të përfshira në korrupsion.

“Fjalën e fundit e ka përsëri populli i Kosovës

Tashmë është krejt e qartë. Edhe sikur Albin Kurti ta propozonte Zotin për President të Kosovës, opozita nuk do ta votonte. Opozita ishte e keqe në qeverisje, por edhe më e keqe në opozitë. Nuk i pranojnë gabimet e tyre, nuk reflektojnë dhe nuk ndryshojnë. Nuk u ka mbetur rrugë tjetër veçse të shajnë dhe të bllokojnë. I kanë humbur zgjedhjet dhe nuk e pranojnë.

Image
Agim Aliçkaj

Ata e dëshirojnë një shtet të dobët, ku mund të bëjnë çfarë të duan. Pengesë për ta është Albin Kurti dhe të gjithë “Albinat” që nuk janë si ata të korruptuar. Shpresa e tyre e vetme për ta marrë pushtetin është largimi i “Albinave” nga politika me çdo kusht, edhe nëse dëmtohet shteti i Kosovës. E keqja është se interesat e tyre përputhen me interesat e armiqve të Kosovës”, tha ai.

Aliçkaj, ka deklaruar se situata politike në Kosovë kërkon përgjegjësi dhe marrëveshje për të shmangur zgjedhje të reja.

Ai ka kritikuar opozitën dhe ka thënë se bashkëpunimi mes partive është thelbësor për zgjedhjen e Presidentit dhe funksionimin e institucioneve.

Aliçkaj ka theksuar gjithashtu se në mungesë të marrëveshjes politike, mund të shqyrtohen kandidatë të pavarur dhe të pranueshëm për të gjitha palët.

“LDK, në krye me z. Lumir Abdixhiku, nuk mund të hyjë në koalicion me LVV-në për shkak të përçarjes së brendshme dhe obligimeve ndaj oligarkëve. PDK-ja ka urdhra të prerë nga Haga, Tirana dhe lobistë serbë në Amerikë për ta bojkotuar zgjedhjen e Presidentit. Pasanikët e paligjshëm nuk dëshirojnë ta kthejnë pasurinë e popullit.

KM Kurti, si fitues absolut i zgjedhjeve me mbi 51%, në këto pak ditë që kanë mbetur, e ka obligim të bëjë çdo gjë të mundur për zgjedhjen e Presidentit dhe evitimin e zgjedhjeve të reja. E vetmja vijë e kuqe për të duhet të jetë që President nuk duhet të bëhet në asnjë mënyrë një kundërshtar i tij politik apo një person i pakualifikuar. Funksionimi i shtetit varet nga bashkëpunimi i Presidentit me Kryeministrin dhe qeverinë.

Nëse KM Kurti nuk gjen gjuhë të përbashkët me opozitën, atëherë është mirë të gjejë dhe të nominojë për President një kandidat të pavarur, të aftë dhe të pakorruptuar, me autoritet të madh te shumica e popullit të Kosovës. Dhe, nëse deputetët e opozitës e lëshojnë Parlamentin në raundin e tretë të votimit, le të përballen me zgjedhjet që vetëm ata po i dëshirojnë.

Shpresat e opozitës për rezultat më të mirë në zgjedhje të reja janë shtuar dukshëm edhe nga përçarja në mes të KM Kurtit dhe ish-presidentes Vjosa Osmani. Për këtë arsye, z. Kurti duhet ta shqyrtojë mundësinë e bashkëpunimit me të si presidente, apo ndryshe, me kushte të pranueshme për të dyja palët, në interes të shtetit. Në politikë asgjë nuk është e pamundur. Dëshira për t’i parë bashkë ende është e madhe te shumica e popullit.

Vetëm populli i Kosovës e ka të drejtën ta japë fjalën e fundit se kush duhet ta udhëheqë Kosovën edhe për një mandat. Ky popull i shumëvuajtur nuk mund të mashtrohet. Ai nuk do t’i lejojë batakçinjtë ta marrin nëpër këmbë shtetin e fituar me gjak.

Zëri i popullit është zëri i Zotit” – përfundon ai.

Të Ngjashme