LDK ka fituar më pak ulëse në Kuvendin e Kosovës, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, krahasuar me ato të 9 shkurtit, por ka “befasuar” me deputetë të rinj, duke “shtuar” katër të tillë në grupin e saj parlamentar.
Kësaj ushtrie të “brucoshëve” u prinë Ukë Rugova, i biri i presidentit të parë të kësaj partie dhe Kosovës, Ibrahim Rugovës. Ai doli i treti në listën e LDK-së, me 48.289 vota.
Rugovës i bashkohen në Kuvend edhe Janina Ymeri, Adelina Thaqi Meta dhe Ermal Sadiku.
Befasi jo të mirë për listën e LDK-së përbën mosfutja në parlament e Arben Gashit, i cili ka përfaqësuar këtë parti në disa legjislatura të mëhershme.
Po ashtu, nga ata që dështuan të futën në Kuvend me votat e 28 dhjetorit, ndërsa e kishin bërë këtë më 9 shkurt, janë Fadil Hadërgjonaj, Alban Zogaj, Marigona Geci, Paris Guri, Ekrem Hyseni, Krenar Xhaferi, Serbeze Mucaj, Hysen Cekaj dhe Arjeta Abazi.


