2
Të enjten në mbrëmje gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës është miratuar rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk morën pjesë në votim.
Në lidhje me këtë, nga LDK përmes një postimi në faqen e tyre në Facebook kanë sqaruar se kjo parti beson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive.
Tutje në njoftim thuhet se LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës.
Miratohet rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, LDK nuk voton
“Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Republikës sonë. Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimn e LDK-së.
Po ashtu në këtë njoftim bëhet e ditur se refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh.
“Përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë. Ky qëndrim është aktiv dhe parimor. LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë. Nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik. Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë”.
