Lajme

LDK thotë se nuk e voton buxhetin nëse nuk përfshihen amendamentet e tyre

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do t’i jap mbështetje buxhetit të Republikës për vitin 2026, nëse aty nuk do të përfshihen amendamentet të cilat janë refuzuar të jenë pjesë e këtij dokumenti financiar.

Shefja e deputetëve të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu tha se ata do të insistojnë edhe gjatë seancës kur buxheti do të shqyrtohet pas pak në lexim të dytë, që të përfshihen propozimet e tyre.

Për këtë kanë mbajtur konferencë, pak kohë para se deputetët të mblidhen në sallë plenare për ta shqyrtuar në lexim të dytë buxhetin për vitin 2026, përmes procedurave të përshpejtuara.

“Në emër të GP të LDK kemi dalë këtu për të shprehur indinjatën tonë për refuzimin e 21 amendamenteve që kemi propozuar si Grup Parlamentar, projekte të rëndësishme, tepër të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, dhe kanë qenë projekte të cilat ne i kemi sjellë në Kuvend të bindur se pushteti do të ketë mirëkuptimin e vetë dhe do të kuptojë rëndësinë e këtyre projekteve”, tha Lushaku-Sadriu.

Ajo ka përmendur disa nga projektet që thotë se u refuzuan të përfshihen në buxhetin e vitit 2026.

“Pushteti ka refuzuar që t’i rritet buxheti Universitetit të Prishtinës, e ka refuzuar mësimin tërëditor, si njërin nga projektet më të duhura për shkollat e për nxënësit, për familjet e Kosovës. E ka refuzuar Unazën e Kryeqytetit, e ka refuzuar ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit, një nder projektet më të rëndësishme që do të shkarkonte QKUK-në. Ka refuzuar një varg projektesh që janë në interes të komunave, kanë refuzuar një projekt tepër të rëndësishëm që do të modernizonte shkollat e Kosovës, digjitalizimin e shkollave, ka refuzuar digjitalizimin e dhënave për kulturë e turizëm, ka refuzuar projekte që kanë të bëjnë me KEK-un, ndërtimin e një shkolle në Kaçanik, Sallën Koncertale të Kosovës, një nga projektet më të rëndësishme kulturore”, tha ajo.

Deputeti, Besian Musatafa tha se përveç buxhetit të Prishtinës që u përfshi në buxhet, asnjë nga amendamentet tjera nuk është miratuar.

Ndërkohë, deputeti Fadil Hadërgjonaj, tha se është refuzuar amendamenti i tij për vazhdimin e punimeve në kompleksin memorial të betejës së Koshares.

“Ne vetëm kur janë përvjetorët e betejave, përvjetorët e heronjve e dëshmorëve shkojmë mbajmë fjalime të fuqishme, por realisht bëjmë shumë pak për ta. Është për keqardhje kjo qasje kur janë në pyetje dëshmorët, heronjtë familjet e tyre”, tha ndër të tjera deputeti i LDK-së, Hadërgjonaj.

Të Ngjashme