Lajme

Lefter Alla në kërkim të pafajësisë në GJKKO: I kam shërbyer popullit me ndershmëri

Ish-kryetari i Bashkisë së Bulqizë, Lefter Alla, i cili ndodhet pas hekurave nën akuzë për korrupsion, kërkon të shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme.

Ditën e sotome ai ka dhënë dëshminë e tij, ku është shprehur se është i pafajshëm, teksa ka thënë se ka lënë biznesin për t’i shërbyer popullit.

“Jam i pafajshem jam zgjedhur me 67 % te votave nga populli i Bulqizës. I kam shërbyer me ndershmëri dhe përkushtim. Kam hequr dorë nga biznesi. Lash biznesin tim për ti shërbyer popullit. Kam marrë nga pjesa e familjes time për t’ia vënë në dispozicion popullit”, tha Alla.

E në fund të deklaratës, ai i ka kërkuar Gjykatës që kjo çështje të shihet me kujdes. Të njëjtën gjë ka thënë edhe nënkryetarja Enkeleda Lleshi, e cila është shprehur se nuk ka pasur të drejtë më shumë se të lëshonte urdhëra si e deleguara e kryetarit.

E teksa Alla kërkon pafajësinë, 3 muaj më parë Prokuroria e Posaçme njoftoi se kishte “kopsitur” dosjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut socialist dhe zyrtarëve të Bashkisë së Bulqizës, duke e dërguar atë për gjykim.

Bëhet fjalë për tenderin në shumën 322.439.000 lekë të reja, për të cilën janë shpallur fitues operatorët ekonomikë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k.

Rezulton se tenderi është fituar nga të njohurit e kryetarit të bashkisë, kurse punimet janë kryer nga nëpunës publikë të Bashkisë Bulqizë në kundërshtim me ligjin.

Lefter Alla, Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Leonard Daçi dhe Erjon Isaku në bashkëpunim me njëri –tjetrin për arsye të njohjeve apo lidhjeve me te hetuarin Rasim Daci, i cili është përfituesi “de jure” i tenderit dhe te hetuarin Aqif Konesha, i cili është përfitues “de facto” në tenderimet e kryera nga ana e Bashkisë Bulqize, i kanë privilegjuar ata.

Kryetari dhe zyrtarët e bashkisë kanë krijuar avantazhe për këto dy subjekte si gjatë procedurës së prokurimit duke e shpallur fitues subjektin e shtetasit Rasim Daci pa përmbushur të gjitha kriteret e vendosura, por edhe gjate fazës së zbatimit të punimeve sepse punimet janë kryer nga subjekti i shtetasit Aqif Konesha qe nuk është shpallur fitues në procedurën e tenderit ku ka konkurruar, pasi nuk plotësonte kriteret ligjore.

Kjo me qëllimin e vetëm që të mos krijoheshin dyshime për lidhjet e të pandehurit Aqif Konesha me kryetarin e Bashkisë Bulqizë, të pandehurin Lefter Alla.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo