Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas takimit me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen ku kanë diskutuar për Ligjin për të Huajt që do të nisë së zbatuari nga 15 marsi 2026 tha se asnjë qytetar i Kosovës nuk ka arsye t’i druhet këtij procesi, por t’i gëzohet benefiteve që dalin nga ky ligj e procesi i inkorporimit.
Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës ka nënvizuar rëndësinë e inkorporimit të plotë të sistemit të edukimit dhe atij shëndetësor në komunat me shumicë serbe brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës.
“Siç jeni informuar dhjetëra herë në këta dy muajt e fundit, nga data 15 mars fillon zbatimi i dy ligjeve të rëndësishme si për sigurinë tonë individuale ashtu edhe nacionale, si dhe për menaxhimin më efikas të migrimit dhe qarkullimit në trafik.
Është fjala për Ligjin për të huajt dhe atë për vetura, të dyja këto në harmoni të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi se duke filluar nga data 15 janari i këtij viti kanë nisur me fazën e parë të zbatimit të këtyre ligjeve, më shumë e orientuar në qartësim, informim e vetëdijesim për qytetarët rreth obligimeve dhe të drejtave shtesë që burojnë nga dispozitat e këtyre dy ligjeve.
“…Por, njëkohësisht fazë e përdorur për të bërë përgatitjet e duhura që garantojnë një zbatim efektiv të ligjeve. Lista e aktiviteteve të ndërmarra dhe institucioneve të përfshira është jashtëzakonisht e gjatë”, tha ai, gjersa shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme, si bartëse e këtij procesi ka njoftuar për përgatitjet e bëra.
“Tash 15 marsi është ofruar dhe besoj se gjithçka është gati për një fillim të mbarë. Jam i sigurt që të gjithë ne do të dalim fitues nga zbatimi i këtyre dy ligjeve dhe më së shumti do të përfitojnë ata, të cilëve të cilëve i drejtohet ky ligj.
Pra të huajt, që falë rregullave të përcaktuara me ligj do të kenë më shumë siguri gjatë qëndrimit të tyre, më shumë parashikueshmëri e më shumë efikasitet gjatë përpunimit të aplikimeve të tyre. Kjo vlen sidomos për ata që Kosovën e shohin si mundësi për të qëndruar më gjatë dhe destinacion të përshtatshëm për të siguruar mirëqenien e tyre ekonomike”, tha ai.
Kurti tutje njoftoi se nga zbatimi i këtij ligji do të preken edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nga Lugina e Preshevës dhe nga disa qytete të Serbisë.
Ai theksoi se një pjesë e këtyre qytetarëve janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në sistemin ilegal paralel të financuar nga Serbia.
“Dua të potencoj se nuk është interes i Kosovës që zbatimi i Ligjit për të huajt dhe atij për vetura të prodhoj pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët.
Por, po ashtu dua të theksoj fuqishëm se njësoj është qëndrimi i Republikës së Kosovës se në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegal që mirëmbahen dhe financohen nga një shtet jo miqësor e që nuk e njeh republikën e Kosovës.
Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënvizuar rëndësinë e inkorporimit të plotë të sistemit të edukimit dhe atij shëndetësor në komunat me shumicë serbe brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës.
Ky legalizim në praktikë do të përkthehet jo vetëm në zbatim të plotë të ligjit gjithandej Kosovës, por edhe në më shumë cilësi të shërbimeve, më shumë financim, më shumë prezencë dhe e tëra kjo nënkupton më shumë siguri”, tha ai, duke shtuar se asnjë qytetar i Kosovës nuk ka arsye t’i druhet këtij inkorporimi.
Sipas tij, është e qartë që gjithë procesi i legalizimit merr kohë, ndërsa nënvizoi se i gjithë ky procesi do të bëhet në koordinim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së dhe në konsultim me serbët lokalë.
Ai tha se Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me listat e stafit akademikë dhe shëndetësor, që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve, lista këto që pastaj do të shërbejnë si bazë për leje të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.
“Mos përputhjet eventuale në raste individuale do të verifikohen nga autoritetet përkatëse”, tha ai.
Ai tha se e njëjta vlen edhe për studentë të huaj që qëndrojnë në Kosovë për qëllime studimore.
“Krerët komunalë do të sigurojnë listën e plotë të tyre me informata të detajizuara për fushën e studimeve dhe vitin akademik. Këtyre studentëve pas aplikimit të suksesshëm, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovë do t’u ofrojë leje qëndrimi të përkohshëm me afat 12 mujor, me mundësi vazhdimi në rast të vazhdimit të studimeve.
E njëjta procedurë aplikohet edhe për aplikantët e rinj që regjistrohen në vitet e mëvonshme akademike”, tha kryeministri.
Tutje Kurti theksoi se paralelisht me këtë Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit në koordinim me Përfaqësuesin Speciale të BE-së dhe në bashkëpunim me ofruesit e këtyre shërbimeve publike fillojnë procedurat e domosdoshme dhe përcaktojnë afatet optimale për inkorporim të plotë, përfshirë këtu licencimin e institucioneve dhe stafit të angazhuar.
“Qeveria e Kosovës po ashtu do të hap një dritare të re 3 mujore për t’iu mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë fakte civile të cilat deri më datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale.
Në këtë periudhë aplikantëve do të lejohet edhe përdorimi ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jo legale.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerr udhëzime të detajuara që mundësojë regjistrimin e këtyre fakteve brenda sistemit qendror të regjistrit civil të Republikës së Kosovës”, tha ai.
