LifeStyle

Lëkurë të varur nga dhjami në krahë? Mund të keni probleme me shtyllën kurrizore

Indet yndyrore në krahë mund të tregojnë shëndetin e shtyllës kurrizore. Matja e yndyrës në krahë mund të ndihmojë në parashikimin e rrezikut të frakturave të shtyllës kurrizore te njerëzit mbi 50 vjeç, sipas një studimi të shkencëtarëve nga National and Kapodistrian University of Athens në Greqi. 

Studimi, i prezantuar në Kongresin Evropian të Endokrinologjisë në Stokholm, ishte i pari që identifikoi se përbërja trupore e krahëve dhe duarve, veçanërisht sasia e yndyrës në to, lidhet me cilësinë e dobët të kockave dhe cilësinë e shtyllës kurrizore. Për njerëzit mbi 50 vjeç, matja e sasisë totale të yndyrës në krahë mund të ndihmojë në parashikimin se kush është në rrezik më të madh të frakturave të shtyllës kurrizore, ka zbuluar një studim i ri.

Dr Eva Kassi, një nga drejtueset e studimit, endokrinologe në National and Kapodistrian University of Athens thekson se gjetjet e studimit mund të ndihmojnë më mirë në identifikimin e individëve me rrezik të lartë dhe të fuqizojnë më tej njerëzit për të kontrolluar sasinë e yndyrës në trupin e tyre. Kjo mund të nënkuptojë se dhjami nënlëkuror në krah, i cili mund të vlerësohet lehtësisht edhe me një metodë të thjeshtë të palosjes së lëkurës, mund të shfaqet si një indeks i dobishëm i cilësisë së kockave të shtyllës kurrizore, por ndoshta edhe të parashikojë rrezikun e frakturave vertebrale.

Për qëllimet e studimit, studiuesit ekzaminuan 115 njerëz, 14 burra dhe 101 gra pa osteoporozë, me një moshë mesatare 62 vjeç, për të përcaktuar yndyrën e trupit të tyre dhe cilësinë e kockave të shtyllës kurrizore. Frakturat e shtyllës kurrizore, domethënë thyerjet e rruazave në shtyllën kurrizore, janë frakturat më të zakonshme të lidhura me osteoporozën, një sëmundje që shkakton humbje të masës kockore dhe densitetit mineral kockor. Shumë njerëz nuk e dinë se kanë osteoporozë, e cila dobëson kockat, derisa të lëndohen.

Rezultatet e densitetit mineral kockor të pjesëmarrësve u matën duke përdorur një teknikë imazherike të njohur si absorbimi me rreze X me energji të dyfishtë ose testimi DEXA. Gjithashtu, u përdor edhe rezultati i kockës trabekulare (TBS), i cili vlerëson cilësinë e kockës pavarësisht nga indeksi i masës trupore (BMI). Studiuesit zbuluan se ata me një sasi më të madhe të yndyrës së tepërt trupore, pavarësisht nga indeksi i BMI, kishin cilësi më të ulët të kockave në shpinë. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për yndyrën viscerale që rrethon organet e brendshme dhe indin dhjamor nën lëkurën e krahëve. “Çuditërisht, për herë të parë kemi evidentuar se përbërja e indeve të duarve, veçanërisht yndyra e tepërt, ka një lidhje negative me cilësinë e kockave dhe forcën e rruazave”-theksoi Dr.Kassi.