Këtë javë del në kinematë italiane ‘Një betejë pas tjetrës’, filmi më i ri i regjisorin amerikan Paul Thomas Anderson, një prej autorëve më të vlerësuar të kinemasë në 30 vitet e fundit. Anderson, i bërë i njohur me filmat ‘Magnolia’ dhe ‘There Will Be Blood’ në fund të viteve ’90 dhe fillim të 2000-ës, prej disa vitesh realizon filma me buxhet më të ulët dhe me të ardhura gjithnjë e më të pakta, pavarësisht vlerësimeve të kritikës.
Filmi i ri ka protagonist Leonardo DiCaprio dhe pikërisht fama e tij ishte arsyeja që Warner Bros vendosi t’i jepte një buxhet të lartë, rreth 150 milionë dollarë. Por, sipas parashikimeve të para për arkën amerikane, duket se DiCaprio nuk mjafton më për të siguruar suksesin komercial.
Prej dy dekadash DiCaprio ka qenë një rast i rrallë: një aktor që arrin t’i kthejë në hite filma jo komercialë. Që nga viti 2006 (Blood Diamond), ai ka punuar vetëm me regjisorë të mëdhenj dhe nuk ka pranuar filma me buxhet të vogël që nga viti 1996 (Marvin’s Room). Filmi më i lirë i karrierës së tij të vonshme ishte J. Edgar i Clint Eastwood, me kosto 35 milionë dollarë, i cili gjithsesi dyfishoi të ardhurat në arkë.
Ky profil ka bindur Warner që edhe një film i Paul Thomas Anderson mund të kthehej në hit nëse kishte DiCaprio në rol kryesor. Një betejë pas tjetrës është filmi më ‘klasik’ i Anderson, me aksion, humor dhe një linjë të thjeshtë narrative.
Filmi bazohet në romanin Vineland të Thomas Pynchon dhe ndjek një ish-aktivist për të drejtat civile që, pas viteve si pjesëtar i një grupi radikal, nis një mision për të gjetur vajzën e tij, ndërsa përballet me një Amerikë gjithnjë e më të militarizuar.
Megjithëse ka aksion dhe ritëm të shpejtë, filmi është i vështirë për t’u promovuar. DiCaprio ka qenë në gjendje ta kthejë kompleksitetin në sukses më parë, si me Inception në 2010 (800 milionë dollarë në arkë) apo The Revenant (500 milionë dollarë). Por pas vitit 2015, kur fitoi Oscar-in e parë, gjërat ndryshuan. Once Upon a Time in… Hollywood (2019) nuk arriti pritshmëritë në arkë, Don’t Look Up doli vetëm në Netflix dhe Killers of the Flower Moon solli vetëm 150 milionë dollarë, shumë më pak se The Wolf of Wall Street.
Aktori nuk pranon role në filma superheronjsh apo blockbuster, nuk ul pagesën për të bërë projekte të vegjël dhe nuk është aktiv në rrjetet sociale, ndryshe nga kolegët e tij që kërkojnë të qëndrojnë në qendër të vëmendjes. Kjo e ka çuar të punojë më pak, një film çdo dy vjet e gjysmë në dekadën e fundit, dhe duket se po humbet kontaktin me publikun e ri.
Për ‘Një betejë pas tjetrës’, DiCaprio ka thyer edhe një nga rregullat e tij: ka marrë pjesë në promovim si kurrë më parë, ka dhënë intervista për Esquire dhe ka marrë pjesë në junket me gazetarë. Por edhe kjo duket se nuk po mjafton.
Analistët parashikojnë vetëm 20 milionë dollarë në fundjavën e parë në SHBA, shumë pak për një film që duhet të arrijë mbi 400 milionë për të gjeneruar fitim. Nëse këto shifra konfirmohen, ‘Një betejë pas tjetrës’ rrezikon të mos gjenerojë fitim nga shpërndarja në kinema, duke e vënë në rrezik edhe perspektivën e Paul Thomas Anderson për të realizuar filma me buxhete të mëdha në të ardhmen. Shpresa e vetme e filmit mbetet një sukses kritik dhe ndonjë nominim në Oscar.
