Me figurat e tyre misterioze, si “Njeriu i Varur” apo “Hierofanti”, letrat tarot kanë frymëzuar histori fantastike për origjinën e tyre. Sot lidhen kryesisht me fallin, ndaj shpesh mendohet se e kanë prejardhjen në Azi.
Por studiuesit besojnë se rregullat e tarotit nuk vijnë nga Kina apo India, por nga Italia e Rilindjes. Fillimisht, letrat tarot ishin një lojë për elitën italiane; përdorimi i tyre për parashikim erdhi shumë më vonë.
Gjatë zhvillimit të gjatë, letrat tarot kanë ruajtur një cilësi të pandryshueshme, përshtatshmërinë. Siç shkruan Helen Farley te A Cultural History of Tarot: “Letrat tarot janë zhvilluar dhe janë futur brenda rrymave kulturore të kohëve të ndryshme.” Përdorimet e hershme të letrave tarot pasqyronin kritika ndaj fuqisë së Kishës Katolike. Në fillim të shekullit XIX, letrat shënuan largimin nga racionalizmi dhe përqafimin e mistikës. Ky rol u rikthye gjatë pandemisë së gripit spanjoll (1918-1919) dhe dy Luftërave Botërore.
Triumfi i letrave
Edhe pse letrat tarot janë shpikje europiane, lojërat nga të cilat u zhvillua u krijuan në Kinë dhe u përhapën drejt botës arabe dhe islame. Ato arritën në Itali në vitet 1300, ndoshta nga Egjipti, dhe shumë shpejt u bënë të njohura mes të gjitha shtresave shoqërore në Europë.
Një pako letra e ruajtur nga Egjipti, e gjetur në pallatin Topkapi në Stamboll, paraqet figurat e oborrit si mbretër por pa figura njerëzore. Ndërsa letrat letrat europiane shfaqnin njerëz: zanate të zakonshme, si peshkatarë ose klerikë, dhe figurat që njohim sot, mbretër, mbretëresha dhe oborrtarë.
Letrat e para u shfaqën në Kinë në shekullin IX. Ka teori të ndryshme për përdorimin e tyre të hershëm, ose si një formë e lashtë domino, ose si para për lojëra fati. Europa mesjetare i njohu këto letra përmes botës arabe dhe islame.
Letrat e para të importuara në Europë vinin nga dinastia Mamluke në Egjipt, përmes porteve si Venecia. Si një zakon “i saracenëve”, letrat shpesh quheshin “letrat e saracenit”. Ato ndaheshin zakonisht në katër simbole: shpata, shkopinj polo, kupa dhe monedha. Europianët shpikën më pas një mori të çrregullt simbolesh dhe letrash triumfuese, prej të cilave u krijua tarocchi, që më vonë u bë tarot. Teknikat më të lira të printimit lejuan prodhimin masiv të letrave, duke përhapur tarotin në gjithë kontinentin.
Që në vitet 1370, pak pasi u shfaqën në Europë, lojërat me letra nisën të kritikoheshin nga kisha. Duke u parë si një aktivitet i kotë dhe i lidhur me lojërat e fatit, u bënë përpjekje për t’i ndaluar. Arkivat e qyteteve si Firence, Parisi, Barcelona dhe Valencia dëshmojnë për këto ndalime në fund të shekullit XIV.
Në praktikë, ndalimi ishte i vështirë, dhe lojërat lulëzuan. Në privatësi, aristokracia i donte këto lojëra dhe porosiste letra të pikturuara me dorë dhe të vendosura në kuti të bukura. Një lojë, e luajtur nga të gjitha shtresat, përfshinte letra që kishin fuqinë të “mundnin” apo triumfonin mbi të tjerat, prej nga vjen fjala angleze trump (nga “triumph”).
Shenja e parë e letrave tarot vjen nga një letër e vitit 1449, dërguar nga një kapiten venecian mbretëreshës së Napolit, Izabela e Anzhuve, duke i ofruar një pako të veçantë letrash.
Letra përshkruan lojën si një “lloj i ri dhe i përkryer triumfesh,” i krijuar 30 vite më herët nga një princ i ri i Milanos, dukë Filippo Maria Visconti.
Visconti kishte porositur piktorin Michelino da Besozzo që t’i pikturonte letrat “me artin dhe zbukurimin më të madh.” Pakoja e letrave nuk ka mbijetuar, por besohet se përmbante 16 perëndi klasike, të ndara në katër grupe: Virtyte, Pasuri, Virgjëri dhe Kënaqësi. Venusi ishte në grupin e Kënaqësive, ndërsa Apolloni te Virtytet.
Historianët besojnë se kjo pako letrash ishte një fazë kalimtare drejt letrave moderne tarot. Pakoja tjetër e rëndësishme ishte ajo Visconti-Sforza-s, e porositur nga dhëndri i Viscont-it, Francesco Sforza. Në vitet 1440, në Bolonjë u shfaq një pako tjetër e rëndësishme letrash, e krijuar nga fisniku Francesco Fibbia, me 62 letra, e përdorur në lojën e re të quajtur tarocchi.
Nëpër letra
Popullariteti i letrave tarot në periudhën e Rilindjes nuk është rastësi. Siç shënon Farley, Rilindja shquhej për “kërkimin e kënaqësive të jetës dhe një ndjenjë të re të pavarësisë dhe shprehjes personale.” Në sfond ishin luftërat dhe pakënaqësia me pasurinë e kishës.
Dizajnet e letrave tarot e pasqyrojnë atë trazirë. Pakoja e letrave Visconti-Sforza pasqyron korrupsionin e kishës dhe praninë e vdekjes së papritur. Një nga letrat përshkruan një skelet me hark dhe shigjetë.
Me gjithë këto imazhe, për 200 vjet, taroti ishte veç një lojë. Pastaj, në fund të shekullit XVIII në Francë, ai u transformua. Si reagim ndaj racionalizmit të Iluminizmit, okultizmi dhe ezoterizmi u bënë të njohura. Fushata e Napoleonit në Egjipt rriti më tej interesin për gjithçka egjiptiane.
Shpirtëzimi i tarotit
Ideja popullore se taroti vjen nga lashtësia është në fakt fryt i shkrimtarëve francezë të shekullit XIX, sidomos Antoine Court de Gébelin, i magjepsur nga Egjipti. Ai teorizoi se tarot rridhte nga një kastë priftërinjsh egjiptianë që përdornin Librin e Thoth-it dhe që, për t’i ruajtur sekretet, i fshehën në një lojë.
Në Angli, rendi mistik Golden Dawn e rikonceptoi tarotin. Arthur Edward Waite dhe ilustruesja Pamela Colman Smith krijuan kuvertën Waite-Smith në fillim të viteve 1900, duke e lidhur me legjendat e Kupës të Shenjtë.
Pas Luftës së Parë Botërore, shumë europianë dhe amerikanë u kthyen drejt spiritualizmit, për t’u lidhur me të dashurit e humbur. Letrat tarot u bënë sërish të njohura. Poeti T.S. Eliot e përdori në poezinë The Waste Land të vitit 1922, ku një personazh, Madame Sosostris, është fallxhore, me emër që kujton një faraon të dinastisë së 12-të, duke pasqyruar idenë se letrat tarot ishin egjiptiane.
Një ringjallje moderne
Në vitet 1970, lëvizja New Age u paraqit si forcë paqeje në kohën e tensioneve të Luftës së Ftohtë. Letrat tarot morën një funksion të ri: nga mjet për parashikim dhe spiritualizëm, u kthye në mjet për vetëshërim.
Sot, letrat tarot janë sërish në qendër të vëmendjes kulturore, duke treguar nevojën për një urtësi të re shpirtërore. Me rritjen e kërkesës për mbështetje më holistike të shëndetit mendor, njerëzit po i drejtohen sërish lojës.
Pakoja standarde me 78 letra shihet si mjet që rrit vetëdijen për emocionet njerëzore, në një kohë ankthi global. Taroti sot vjen në lloje të pafundme dhe tema, duke reflektuar nevojën e përhershme të njerëzve për imazhe që janë njëkohësisht të afërta dhe arratisëse. Edhe në kohën e trazirave të Rilindjes, përdoruesit e hershëm të tarotit gjetën ngushëllim të ngjashëm. / National Geographic – Syri.net
