Shëndetësi

Leukoplasti inteligjent zbulon alergjitë para se të shfaqen simptomat

Një pajisje që vendoset në lëkurë mund të paralajmërojë personat me alergji ushqimore para se të fillojë reaksioni alergjik. Leukoplasti, i quajtur AllergE, është zhvilluar nga studiues në Universitetin KAUST dhe përdor mikrogjilpëra shumë të vogla për të zbuluar imunoglobulinën E (IgE), antitrupin që shkakton reaksionet alergjike, direkt nga lëngu nën lëkurë.

Alergjitë ndaj ushqimeve si vezët, arrat, qumështi dhe frutat e detit janë në rritje. Testet tradicionale, si shpimi i lëkurës apo analizat e gjakut, janë të dhimbshme, kërkojnë kohë dhe mund të shkaktojnë reagime të lehta. Ndërsa ky leukoplastështë pa dhimbje dhe i shpejtë, falë një grupi mikrogjilpërash më pak se një milimetër të gjata dhe shumë të holla.

Brenda çdo mikrogjilpëre ka fije ADN-je të quajtura aptamerë, që veprojnë si sensorë. Kur takojnë antitrupat IgE, ato ndryshojnë formë dhe krijojnë një sinjal elektrik. Ky sinjal përkthehet në të dhëna të matshme nga një lexues i vogël, i cili në të ardhmen mund të lidhet me telefonin për monitorim në shtëpi. Studimi është publikuar në revistën shkencore ACS Materials Letters.

Në testime laboratorike, pajisja zbuloi nivele shumë të ulëta të IgE-s, më të ndjeshme se shumica e testeve aktuale, dhe dalloi IgE nga antitrupa të tjerë që nuk lidhen me alergjitë. Mikrogjilpërat prodhohen me teknologji 3D shumë precize, duke siguruar që të depërtojnë vetëm pak nën sipërfaqen e lëkurës pa shkaktuar dhimbje.

Studiuesit shpresojnë që në të ardhmen kjo teknologji të përdoret edhe për të monitoruar molekula të tjera të lidhura me inflamacionin dhe sëmundjet.

Ideja lindi nga përvoja personale e një studiueseje, Esraa Fakeih, e cila ka përjetuar reaksione të rënda alergjike në familjen e saj. Qëllimi është i qartë: parandalimi i reaksioneve të rrezikshme dhe dhënia e disa minutave të çmuara paralajmërim kur çdo sekondë ka rëndësi. / Medicalxpress – Syri.net

Të Ngjashme