Bota

Lideri izraelit Netanyahu: Jemi në luftë dhe do ta fitojmë atë

Grupi militant i Hamasit në Rripin e Gazës kreu një sulm të paprecedentë, me shumë fronte mbi Izraelin në agimin e kësaj të shtune, duke gjuajtur mijëra raketa ndërsa dhjetëra luftëtarë të Hamasit depërtuan në kufirin e fortifikuar në disa vende nga ajri, toka dhe deti.

Gjashtë orë pas fillimit të pushtimit janë plagosur mbi 750 vetë dhe kanë vdekur 44 persona.

Kryeministri Netanyahu ka dalë në një video ku shprehet se vendi është në luftë dhe se atë luftë do ta fitojë.

“Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë, jo në një operacion apo në raunde, por në luftë. Këtë mëngjes, Hamasi filloi një sulm të papritur vrastar kundër shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij. Unë mblodha krerët e institucionit të sigurisë dhe urdhërova, para së gjithash, që të pastrohen komunitetet që janë infiltruar nga terroristët. Kjo aktualisht po kryhet. Në të njëjtën kohë, kam urdhëruar një mobilizim të gjerë të rezervistëve dhe që ta kthejmë zjarrin në një plan përmasash që armiku nuk e ka ditur. Armiku do të paguajë një çmim të paprecedentë. Ndërkohë, u bëj thirrje qytetarëve të Izraelit që t’u përmbahen rreptësisht direktivave të IDF dhe Komandës së Frontit të Brendshëm. Jemi në luftë dhe ne do ta fitojmë atë”, tha ai.