Nga Melissa Rudy, FOX NEWS
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA e ka përditësuar faqen e tyre me një qëndrim të ri lidhur me mundësinë e lidhjes mes vaksinave dhe autizmit.
Formulimi i ri në faqen e CDC-së thotë: “Pretendimi se ‘vaksinat nuk shkaktojnë autizëm’ nuk është një pretendim i bazuar në prova, sepse studimet nuk e kanë përjashtuar mundësinë që vaksinat e foshnjave të shkaktojnë autizëm. Studimet që mbështesin një lidhje janë injoruar nga autoritetet shëndetësore”.
Agjencia thekson se deklarata “vaksinat nuk shkaktojnë autizëm” është “historikisht e shpërndarë” nga CDC dhe agjenci të tjera federale të shëndetit me qëllim që të parandalojnë hezitimin ndaj vaksinave.
Më herët, faqja e CDC-së deklaronte: “Studimet kanë treguar se nuk ka lidhje mes marrjes së vaksinave dhe zhvillimit të çrregullimit të spektrit autik (ASD)”.
Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) ka nisur një “vlerësim gjithëpërfshirës” të shkaqeve të mundshme të autizmit, sipas asaj që ka bërë të ditur CDC.
Këto përfshijnë hetime mbi “mekanizma biologjikë të besueshëm dhe lidhje të mundshme shkak-pasojë”.
Titulli “Vaksinat nuk shkaktojnë autizëm” vazhdon të qëndrojë ende në faqe, por tani shoqërohet me një yllth (asterisk) që tregon se nuk është hequr për shkak të një marrëveshjeje të mëparshme — jo sepse provat e mbështesin.
Organizata ‘Children’s Health Defense’ e ka përshëndetur faqen e përditësuar të CDC-së.
“Më në fund, CDC po fillon të pranojë të vërtetën rreth kësaj gjendjeje që prek miliona njerëz, duke mohuar gënjeshtrën e gjatë dhe të guximshme se ‘vaksinat nuk shkaktojnë autizëm,’” tha Mary Holland, presidente e ‘Children’s Health Defense’ në New Jersey, për Fox News Digital.
“Asnjë studim nuk ka provuar kurrë këtë pretendim të papërgjegjshëm; përkundrazi, shumë studime tregojnë se vaksinat janë shkaku i mundshëm kryesor i autizmit. Fatmirësisht, HHS tani ka nisur një vlerësim gjithëpërfshirës mbi shkaqet e autizmit, duke përfshirë hetime mbi mekanizmat biologjikë të besueshëm”.
Organizata të tjera mjekësore janë shprehur kundër mundësisë që vaksinat të kontribuojnë në autizëm.
“Studimet kanë treguar shumë herë se nuk ka asnjë lidhje të besueshme midis vaksinave që shpëtojnë jetë të fëmijëve dhe autizmit,” thuhet në faqen e internetit të ‘American Academy of Pediatrics’.
“Shkencëtarët po mësojnë gjithmonë më shumë mbi shkaqet e mundshme të autizmit. Një gjë që e dimë me siguri është se vaksinat nuk janë një prej shkaqeve. Nuk ka një shkak të vetëm kryesor të autizmit”.
Të dhënat më të fundit të CDC-së tregojnë se te fëmijët 8-vjeçarë (të lindur në 2014), rreth një në 31 (3.2%) janë identifikuar me çrregullim të spektrit autik. Në vitin 2000, rreth një në 150 (0.67%) fëmijë ishin diagnostikuar.


