Edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka reaguar mbi vetëvrasjen e 41-vjeçares në Durrës pas bullizimit në “Tik Tok” me profile falso.
Nikolla në reagimin e saj ka njoftuar se do të merren masa dhe se do të ashpërsohet legjislacioni për mediat online dhe Kodin Penal mbi krimet kibernetike!
“Një nënë e katër fëmijëve, u vetësakrifikua për shkak të denigrimit në mediat sociale. Fëmijët dhe bashkëshorti humbën njeriun e tyre më të dashur, që i kishte thirrur për t’u gëzuar bashkarisht për festat. U bëj thirrje organeve të drejtësisë t’u japin shkaktarëve dënimin maksimal, të merituar.
Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si një apel i fuqishëm për shoqërinë dhe institucionet. Kuvendi do të rishqyrtojë menjëherë, me përparësi ashpërsimin e legjislacionit për mediat online dhe Kodin Penal, sidomos dispozitat që lidhen me krimin kibernetik, sulmet, fyerjet dhe agresivitetin në rrjetet sociale.
Agjencitë ligjzbatuese duhet të reagojnë më shpejt, me më shumë forcë dhe eficience për parandalimin e rasteve të tilla, të cilat ndodhin para syve të të gjithë shoqërisë dhe shkaktojnë ngjarje tragjike e trauma familjare. Ngushëllime fëmijëve, bashkëshortit dhe familjarëve të të ndjerës! U prehtë në paqe!”, – përfundon Nikolla.
Sot Policia e Durrësit ka dalë me një sqarim për rastin, duke bërë me dije se viktima kishte bërë kallëzim që në Dhjetor 2022 se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj.
Sot pas publikimit të ngjarjes, në rrjetet sociale është shpërndarë një poster, ku paralajmërohet protestë ditën e nesërme në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, në orën 11:30.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo