LifeStyle

Lista e plotë – Dashuria është në ajër në 2026, filmat romantikë që s’duhet t’i humbasësh

Pavarësisht nëse je në një lidhje, në fazën e “dating”, beqare e lumtur apo në një situatë që të duket si një trekëndësh i ndërlikuar dashurie, ka një të vërtetë ku biem të gjithë dakord: filmat romantikë janë gjithmonë ide e mirë. Sidomos në kohë si këto, kur edhe një orë arratisje nga realiteti të duket luks.

Dhe 2026 premton pikërisht këtë arratisje, me një listë të pasur titujsh mes kinemasë dhe streaming. Nga adaptimet e shumëpritura të romaneve të dashur, te rikthime ikonike me “magji” në ajër, ky vit duket si një sezon i gjatë kinemaje për këdo që e do romancën në ekran.

Më poshtë janë titujt romantikë që po përfliten më shumë dhe që pritet të dominojnë bisedat, rrjetet dhe listat “must watch” gjatë 2026.

People We Meet on Vacation
I bazuar në romanin me të njëjtin titull nga Emily Henry, ky film sjell historinë e dy miqve të ngushtë, krejt të ndryshëm mes tyre, që prej dhjetë vitesh mbeten të bllokuar në “friend zone”, edhe pse kanë një traditë të pandryshueshme: një pushim veror bashkë çdo vit. Pyetja është e thjeshtë dhe e rrezikshme njëkohësisht: a mund të shndërrohet miqësia e gjatë në dashurinë që nuk e pranove kurrë me zë? Filmi është në Netflix që më 9 janar.

Relationship Goals
Kelly Rowland dhe Method Man luajnë dy ish partnerë që detyrohen të punojnë bashkë në një projekt dhe, si të mos mjaftonte kjo, konkurrojnë edhe për të njëjtin promovim. Një kombinim që për zyrën e burimeve njerëzore do të ishte makth, por për publikun është recetë për argëtim të pastër. Në Prime Video nga 4 shkurti.

Wuthering Heights
Nëse romanca e errët dhe pasioni i pakontrolluar janë “zhanri” yt, ky është titulli që pritet me nerv. Margot Robbie dhe Jacob Elordi sjellin në ekran Catherine dhe Heathcliff në një adaptim të ri të romanit gotik të Emily Brontë. Brughiera, tension, shikime që digjen dhe emocione që shpërthejnë. Në kinema nga 12 shkurti.

The Bride!
Një romancë e pazakontë, me humor të zi dhe atmosferë të çuditshme, që luan me mitin e Frankenstein. Edhe krijesa e Frankenstein kërkon të dashurohet dhe të jetë e dashuruar. Christian Bale luan Krijesën, ndërsa Jessie Buckley është shoqëruesja e tij enigmatike. Nuk është rom com klasike, por pikërisht kjo e bën kaq joshëse. Në kinema nga 5 marsi.

Reminders of Him
Një tjetër adaptim i pritur nga lexuesit e Colleen Hoover. Historia ndjek Kennën, një grua e re që sapo ka dalë nga burgu dhe përpiqet të rindërtojë jetën nga e para. Mes përpjekjes për të rikthyer lidhjen me vajzën, një rruge pendese dhe shpresës për një dashuri të re, filmi premton dramë të fortë emocionale. Në kinema nga 12 marsi.

The Drama
Zendaya dhe Robert Pattinson në një histori ku dita e martesës, që teorikisht duhet të jetë më e lumtura, rrezikon të kthehet në më të keqen. Diçka thyen “perfeksionin” e çiftit dhe, edhe pse detajet mbahen të fshehta, dy emrat kryesorë mjaftojnë për të tërhequr vëmendjen. Në kinema më 1 prill.

You, Me & Tuscany
Çfarë ndodh kur dy yje që publiku i do, takohen në Itali dhe në mes të peizazheve të bukura nis një romancë? Ky film luan fort me idenë e arratisjes romantike dhe me magjinë e Toskanës. Në kinema më 9 prill.

One Night Only
Një premisë distopike që hap pyetje të forta: imagjino një botë ku marrëdhëniet intime para martese ndalohen, përveç një nate të vetme në vit. Çfarë do të bëje, dhe me kë? Filmi e nis nga një ide shqetësuese mbi kontrollin e shtetit mbi trupin, por prej saj mund të lindë një histori dashurie e papritur dhe e madhe. Në kinema gjatë gushtit.

Sense and Sensibility
Një klasik që rikthehet. Pas adaptimit të paharrueshëm të vitit 1995, vjen një version i ri i romanit të Jane Austen. Pyetja “a ishte e nevojshme?” është e drejtë, por tundimi për ta parë këtë histori me një frymë të re është po aq i madh. Në kinema në shtator.

Practical Magic 2
Sandra Bullock dhe Nicole Kidman rikthehen si motrat Owens, me tezet e paharrueshme sërish në krah. Një rikthim pas gati 28 vitesh që premton nostalgji, magji dhe humor, me atmosferë perfekte për sezonin e Halloween. Pritet gjatë vjeshtës.

Verity
Një thriller romantik i errët dhe plot kthesa, i bazuar në romanin shumë të njohur të Colleen Hoover. Anne Hathaway luan Verity Crawford, Josh Hartnett është Jeremy dhe Dakota Johnson vjen si ghostwriter Lowen Ashleigh. Për këdo që i pëlqejnë misteret, tensioni psikologjik dhe surprizat, ky është titull për t’u shënuar. Në kinema në tetor.

Heartstopper Forever
Nick Nelson dhe Charlie Spring rikthehen në një film që pritet të jetë “ngushëllim” për fansat dhe një tjetër kapitull i ngrohtë emocional. Dalja parashikohet në fund të vitit në Netflix.

 

 

Të Ngjashme