Lajme

Lista Serbe kërkon që për integrimin e Arsimit e Shëndetësisë të diskutohet në Bruksel

Në ora 12:00 iu drejtuan fakultetit teknik.

Amfiteatri i këtij qyteti, të enjten ishte pikëtakimi i komunitetit serb në Kosovë.

Me ftesë të Listës Serbe, këtu u mblodhën përfaqësuesit e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë.

E fillimisht, u vendos flamuri i Serbisë.

Ndërsa të pranishëm, ishin edhe përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë, që funksionojnë sipas plan-programit të Beogradit.

Nuk vonoi shumë, u miratua edhe një deklaratë e përbashkët.

Në të thuhet, se çështja e arsimit dhe shëndetësisë për këtë komunitet, të zgjidhet në dialogun mes Beogradit e Prishtinës.

Por, e gjitha kjo përmes krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne hedhim poshtë dhe dënojmë me forcë çdo veprim ose aktivitet që mund të rrezikojë punën dhe ofrimin e vazhdueshëm të shërbimeve nga institucionet shëndetësore dhe arsimore të popullit serb. Ne besojmë se të gjitha çështjet e pazgjidhura, përfshirë statusin e këtyre institucioneve, duhet të zgjidhen ekskluzivisht përmes dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës përmes krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe, dhe se ne kundërshtojmë absolutisht veprimet e dhunshme, të njëanshme dhe të gjitha veprimet e tjera që do të rrezikonin funksionimin e këtyre dy sektorëve”, tha Ivan Zporozhac nga Lista Serbe.

E ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin thotë se miratimi i kësaj deklarate, ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Kjo është marrëveshja e Ohrit edhe plani, Franko-Gjerman, edhe do t’i përmbahen asaj marrëveshje, sepse integrimi është që duhet të zbatohet sipas informimeve nga Qeveria e Kosovës, dhe negociatorëve që po marrin pjesë në bisedime me përfaqësues të Serbisë. Sigurisht edhe kjo fazë do të kryhet, por në të ardhmen do të vjen edhe përgatitja për krijimin e Asociacionit për komunat me shumicë të komunitetit serbë”, tha ai.

E gjithë kjo ngjarje, u monitorua edhe nga Policia e Kosovës.

“Në fakt ne jemi njoftuar që do të ketë një tubim të tillë, kemi pranuar informacione të nevojshme për tubimin, për neve ka qenë me rëndësi që situata me qenë e qetë, në veri të vendit, çdo gjë është në rregull. Sa i përket takimit, janë çështje dhe konkluzione që i analizojmë më vonë” , tha zëvendës i PK-së për veriun Veton Elshani.

Ky takim, u kundërshtua nga disa parti opozitare serbe të veriut.

Ndryshe, Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, më 10 shkurt ka deklaruar se pesë deri në gjashtë javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për integrimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe.

Të Ngjashme