Kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se gjendja në komunë po përmirësohet pas përmbytjeve, megjithëse kërkohet kujdes në disa zona si Guri i Plakës dhe Llapushnik–Berishë.
Ai ka shtuar se janë hapur kanalet kulluese, janë vizituar familjet e prekura dhe janë shpërndarë ushqime dhe pako ndihmëse.
Postimi i plotë:
Gjendja po shkon drejt përmirësimit në Komunën e Drenasit, kërkohet kujdes.
Sot, gjendja në Komunën e Drenasit ishte më e qetë. Rrugët ishin të qarkullueshme, me kujdes të shtuar nga pjesëmarrësit në trafik. Vështirësi paraqiten në drejtim të Gurit të Plakës dhe në drejtimin Llapushnik–Berishë.
Është intervenuar në hapjen e kanaleve kulluese te Qendra e Re Tregtare, në lagjen “Qorri”. Kompania “Llugani” ka realizuar hapjen e kanaleve kulluese.
Janë vizituar familjet e prekura nga vërshimet dhe janë shpërndarë ushqime dhe pako ndihmëse.
Ujësjellësi ka siguruar furnizimin me ujë për qytetarët përmes cisternave.
Ndërkohë, komuna ka pranuar mbështetje nga donatorët, 21 pako ushqimore nga deputeti Eman Rrahmani dhe 100 racione nga “Sach Pizza”, të dedikuara për familjet e prekura nga vërshimet dhe për ekipet që janë në terren duke u përballur me situatën.
Komuna, nëpërmjet Emergjencave dhe grupeve për intervenim, po vazhdon punën në terren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.


