LifeStyle

Logoja e albumit të ri të Ed Sheeran në fanellat e Barcelonës

Në derbin e madh të fundit kundër Real Madridit, lojtarët e Barcelonës do të zbresin në fushë me logon e albumit të ri të këngëtarit britanik Ed Sheeran, “Play”, e cila do të jetë e stampuar në pjesën e përparme të fanellave të tyre. Ky është albumi i tetë në studio i 34-vjeçarit dhe pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis Barcelonës dhe Spotify.

Ky projekt vjen pas iniciativave të mëparshme të klubit katalanas me artistë të tjerë të njohur si Rolling Stones, Coldplay dhe Drake, duke ndërthurur futbollin me industrinë globale të muzikës. Ndeshja e shumëpritur mes Realit dhe Barcelonës do të zhvillohet më 26 tetor në Madrid. Aktualisht, Reali kryeson tabelën e La Ligës me 21 pikë, ndërsa Barcelona ndodhet dy pikë pas tij.

“Jam krenar që logon e albumit tim ta shoh në fanellën e Barcelonës. Jam tifoz i madh i futbollit dhe i këtij klubi”, u shpreh Sheeran, i cili zotëron një pjesë të vogël të aksioneve në klubin anglez Ipswich Town. Nga ana tjetër, sulmuesi polak i Barcelonës, Robert Lewandowski, u shpreh entuziast për këtë bashkëpunim: “Disa nga këngët e Sheeran janë pjesë e listës sonë muzikore në dhomën e zhveshjes. Do të jetë kënaqësi të luajmë me logon e tij në fanellë.”

Të Ngjashme