Lajme

“Lufta” e Berishës ndaj SPAK, Mërtiri: Dikush i jep garanci, ndoshta dhe vetë Rama

Sali Berisha u kthye sot në kryefjalën e lajmeve të politikës, pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkoi Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit, Sali Berisha lidhur me akuzat për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Në reagimin e tij të parë pas shkresës së SPAK, Berisha u shpreh se është i gatshëm që të respektojë çdo vendim që do të marrë Parlamenti. Ndërkaq nuk munguan as akuzat e tij ndaj SPAK dhe qeverisë Rama.

Sipas Berishës SPAK është një vegël e verbër që kontrollohet nga pushteti i Edi Ramës. Lidhur me këtë, sociologu, Ergys Mërtiri tha sot në një lidhje për “Euronews  Albania” se Berisha po shkon në ‘arrest shtëpie’ me këmbët e veta.

Mërtiri tha gjithashtu se dyshon se dikush (ndoshta edhe vetë Rama) i ka dhënë garanci Berishës që të dalë kundër SPAK. Ndërsa skenari tjëetër sipas sociologut është që Berisha të ketë humbur sensin e realitetit dhe mendon se përmes fishekzjarrëve në Parlament do të detyrojë drejtësinë që të ndërmarrë masa shtesë kundër tij.

“Berisha shkoi me këmbët e veta në arrest shtëpie. Kjo më duket se ka humbur gjykimin e kthjellët që do të thotë të shkojë në vetëvrasje me këmbët e veta. Unë këtë mendoj, mendoj se ka dy shpjegime, ose dikush i ka dhënë garanci që të mos paraqitet në Prokurori sepse nuk do të marrin masë tjetër, ndoshta influenca brenda SPAK, ose Rama vetë. Ose Berisha ka humbur sensin e realitetit, mendon se është i paprekshëm akoma. Mendon se përmes zjarrit në Parlament, do i detyrojë organet gjyqësore që të mos marrin masa të tjera ndaj tij”, tha Mërtiri.

Ish-kryeministrit i është dhënë masa paraprake e sigurisë “Detyrim paraqitje”, por Sali Berisha ka refuzuar të shkojë qoftë dhe një herë të vetme para togave të zeza, duke dërguar avokatët e tij ta përfaqësojnë.

Që nga dita kur u prangos dhëndri i tij dhe ndaj Berishës u vendos “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë vendit”, veprim që parashikon bllokimin e pasaportës, lideri historik i Partisë Demokratike ka ndërmarrë një fushatë sulmesh ndaj SPAK dhe gjyqtares Irena Gjoka.

Duke qenë se Sali Berisha është anëtar i Kuvendit të Shqipërisë dhe gëzon imunitetin që i njeh ligji si deputet, Komisioni për Rregulloren dhe Mandatet do të mblidhet  me 18 dhjetor dhe do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, nëse kërkesa për arrestimin e ish-kryeministrit është e bazuar në prova.

Aktualisht në masë sigurie “Arrest në shtëpi” është Jamarbër Malltezi, pasi akuzohet se ka vepruar me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” gjatë kohës që në pushtet ishte vjehrri i tij, Sali Berisha. SPAK e akuzon këtë të fundit se gjatë kohës që ishte në kryeministër, ka vënë në shërbim të dhëndrit administratën, që të lejonin privatizimin e mijëra m2 tokë në Tiranë.

Në shkresën që kryeprokurori Altin Dumani i ka dërguar Lindita Nikollës, ai thotë se deputeti Sali Berisha nuk i është bindur vendimeve të Gjykatës së Posaçme, për t’u paraqitur dhe njohur me masën paraprake të sigurisë që është dhënë ndaj tij.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo