Shëndetësi

Luiza Xhuvani: Kam jetuar e ndarë nga im atë, kam jetuar vetëm me nënën

Në rrëfimet e rralla të Luiza Xhuvanit, ajo ka preferuar që të qëndrojë brenda kornizave të profesionit të saj, duke preferuar që mos të prekë asgjë sa i përket jetës private.

Në një rrëfim të disa kohëve më parë, Xhuvani ka zbuluar se në fakt ajo sot do të ishte një mjeke ose inxhiniere, por për shkak të biografisë së keqe e cila në kohën e diktaturës i kufizonte të rinjtë të studionin, u bë aktore.

“Shkak që jam sot aktore, në mënyrë paradoksale, m’u bë edhe biografia. Kam jetuar e ndarë nga im atë, kam jetuar vetëm me nënën.

E kam ndier mungesën e tij fizike, por jo atë shpirtërore. Kam gëzuar mbiemrin e tij.

Për fatin tim të keq, vëllai i tim eti, dikur partizan, është pushkatuar nga regjimi komunist.

Mbase do të kisha dashur të vijoja për një degë tjetër, mjekësi apo inxhinieri, por e vetmja mënyrë ishte të konkurroja dhe të gjitha të tjerat do të më ishin refuzuar.

Konkurrova, fitova… Më kujtohen dy anëtarë jurie që më pas u bënë pedagogët e mi, Timo Flloko dhe Skënder Plasari.

Më kanë shoqëruar me shumë dashuri ato kohë e deri në vitet që flasim.

I kam bërë studimet në vitet ‘82- ‘86. Megjithëse kohë shumë e vështirë për ne që ishim konviktorë dhe që mua vazhdonte të më përmendej historia e biografisë, por përsëri them që kanë qenë 4 vitet më të bukura të jetës sime. Më dukej ëndërr që po studioja për aktore, ishte fat shumë i mirë.

Një student, që të funksionojë, duhet të adhurojë pedagogët e vet dhe unë e pata këtë fat; ata ishin Timo Flloko, Drita Pelinku, Vera Zheji dhe Kadri Rroshi”, – pati deklaruar në atë kohë Luiza Xhuvani./aktoretshqiptare