Lajme

Lushaku-Sadriu: Nuk u arrit konsensus për rendin e ditës

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nuk ka pasur konsensus për rendin e ditës, çka bëri të domosdoshme procedimin e tij për votim në seancë plenare.

Lushaku-Sadriu sqaroi se në fillim kishte një propozim të përgjithshëm për pikat e rendit të ditës, por gjatë diskutimeve pati edhe propozime të tjera për renditjen e pikave.

“Në ndërkohë që nuk arritëm konsensus, rendi i ditës u përcoll për votim në seancë. Është vërtet për keqardhje që Kryesia e Kuvendit nuk arriti të gjejë një kompromis, për shkak të mungesës së fleksibilitetit nga grupi më i madh parlamentar,” tha ajo.

Sipas saj, forca më e madhe parlamentare shpesh mbivoton në mbledhje të tilla dhe nuk tregon fleksibilitet edhe për çështje procedurale të thjeshta, si renditja e pikave të rendit të ditës. Ajo tha se LDK-ja ka qenë fleksibile dhe kishte mbështetur rezolutën, duke treguar gatishmëri për kompromis, por kjo nuk u pranua nga grupi tjetër me shumicë.

Lushaku-Sadriu bëri thirrje për intensifikim të diskutimeve ndërpartiake, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për institucionet dhe për zgjedhjen e presidentit të vendit. Ajo paralajmëroi se, në mungesë të marrëveshjes, rrezikohet shkuarja në zgjedhje të reja, një skenar që mund të ketë pasoja të mëdha politike dhe institucionale.

“Zgjidhja për vendin dhe institucionet e Kosovës duhet të vijë përmes diskutimeve intensive dhe serioze gjatë ditëve të mbetura, duke pasur parasysh se kush ka numrin më të madh të votave. Pa vullnet politik nga forcat kryesore, vendi nuk mund të ketë president dhe nuk mund të zgjidhet kjo çështje jetike,” tha ajo, duke nënvizuar përgjegjësinë e grupeve parlamentare për të garantuar funksionalitetin e institucioneve.

Të Ngjashme