Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar situatën e krijuar në Kuvend pas pamundësisë për konstituimin e tij.
Ajo tha se deputetët dhe subjektet politike kanë ardhur në Kuvend me qëllim të konstituimit të institucioneve dhe funksionalizimit të tyre.
“Ne kemi ardhur si deputetë edhe si subjekte politike, ne kemi ardhur që t’i konstituojmë institucionet dhe që të jenë funksionale në funksion të shtetit të Kosovës. Por po shohim një papërgjegjësi totale nga subjekti i parë, i cili nuk po gjen mënyrën që të kryejë obligimin e vet kushtetues për ta prezantuar emrin e Kryetarit të Kuvendit dhe për t’u bërë votimi dhe për t’u konstituar Kuvendi. Dhe kjo është vërtet fakt që është mungesë e madhe, por është papërgjegjësia e tyre. I bëj të gjithë qytetarëve thirrje që ta shohin këtë pamje të një Kuvendi i cili mblidhet dhe nuk arrin që të konstituohet, e përgjegjësia i takon subjektit më të madh”, deklaroi ajo.
Lushaku-Sadriu tha se nuk dëshiron të komentojë skenarët e mundshëm, duke theksuar se fokusi duhet të jetë te përgjegjësia dhe serioziteti i subjekteve politike ndaj institucioneve të Kosovës.
“Nuk dëshiroj që të marr asnjë pyetje. Sot është një ndjenjë vërtet e keqe ku Kuvendi nuk arriti që të konstituohet. Nuk dëshiroj të flas për asnjë skenar, po flasim për përgjegjësi, po flasim për seriozitet të subjekteve politike për këtë shtet edhe për institucionet tona. Prandaj i bëj thirrje edhe një herë subjektit më të madh që të bëhet serioz dhe të na prezantojë emrin dhe institucionet të konstituohen”, u shpreh Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK.
